Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimin pasuror për nënkomisarin e Komisariatit të Fierit, Festim Lelajn, si edhe për dy policët kufitarë të Durrësit dhe doganierin e arrestuar për trafik droge.
Burimet pranë organit të akuzës thonë për “Panorama” se pasuria e nënkomisarit dhe e familjarëve të tij është në sitën e drejtësisë. Duke filluar nga dita e hënë, do të verifikohen të gjitha llogaritë bankare të nënkomisarit, nëse ka të tilla, si edhe të familjarëve të tij.
Po kështu, janë dërguar shkresa në institucione si Drejtoria e Tatimeve dhe në Hipotekë për të mësuar rreth pasurive të luajtshme apo të paluajtshme që ka nënkomisari dhe nëse ato justifikohen me të ardhurat e tij të ligjshme. E njëjta procedurë është ndjekur edhe për dy policët kufitarë të arrestuar, Gëzim Dervishi dhe Agron Kapllani.
Sitës së pasurisë do t’i nënshtrohet edhe doganieri Altin Katundi. Të lartpërmendurit u arrestuan në një operacion madhor me urdhër të Krimeve të Rënda për akuzën e trafikut të drogës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Dyshohet se grupi prej 7 personash, arrestuar këtë javë, ka bashkëpunuar me 5 persona të tjerë për të trafikuar drogë në vendet e BE-së. Grupi u zbulua në janar 2017, kur në Ankona u kap një kamion me targa shqiptare, në të cilin ishin ngarkuar 2.5 tonë kanabis me destinacion Gjermaninë.
Në atë muaj u arrestuan 5 persona për drogën në Shqipëri, ndërsa hetimet vijuan për pjesëtarët e tjerë. Burimet thonë se nënkomisari Lelaj dyshohet se ka trafikuar drogë edhe më parë, në vitin 2014, kur ishte efektiv kufiri në Vlorë. Ai po hetohet edhe për një ngarkesë prej 250 kg kanabis të trafikuar në Itali, e cila përmendet në përgjimet që i janë bërë nga Prokuroria.
Sa i përket kamionit të kapur në Itali, Lelaj, i cili ishte në rolin e organizatorit të grupit, grumbullonte drogën që kultivohej në Vlorë dhe më pas ajo ngarkohej në kamionë me paleta druri që kishin destinacion Gjermaninë. Droga kalonte nga Porti i Durrësit, ku në ndihmë të grupit vinin dy efektivët e Policisë Kufitare dhe doganieri Altin Katundi, së bashku me agjentin doganor Mikail Hila.
Kamioni pa drogë i nënshtrohej fillimisht skanerit dhe më pas ai ndërronte rimorkion me atë që vinte pas tij, që ishte ngarkuar me drogë. Që të mos pikasej, i ndërrohej edhe targa. Në këtë mënyrë, droga kalonte nga Porti i Durrësit dhe shmangte edhe kontrollet në portin italian./b.d