Qipriotët turq janë “bashkëpronarë” të Qipros dhe jo një minoritet në këtë ishull të ndarë të Mesdheut, deklaroi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan në një intervistë të publikuar sot nga e përjavshmja greke “To Vima”.
“Qipriotët turq nuk do të jenë kurrë më të paktë me statusin e minoritetit, ashtu si kërkojnë qipriotët grekë, në një ishull ku ata janë bashkëpronarë”. theksoi Erdogan, i cili zhvilloi këtë javë një vizitë zyrtare në Greqi, e para për një president turk që prej 65 vitesh.
Qipro, që numëron një milionë banorë, është ndarë në dy pjesë që prej pushtimit në vitin 1974 të pjesës veriore të ishullit nga ushtria turke në reagim të një grushti shteti që parashikonte bashkimin e vendit me Greqinë.
Ishulli është ndarë mes Republikës së Qipros, anëtare e Bashkimit Evropian që prej vitit 2004 dhe autoriteti i të cilës ushtrohet vetëm në pjesën jugore të ishullit të populluar me qiprioto-grek dhe Republikës turke të Qipros së Veriut (RTCN), rreth 38 për qind e territorit me rreth 300.000 banorë që njihet vetëm nga Ankaraja.
“Bisedimet prej dekadash kanë treguar se qipriotët grek kanë një problem serioz përsa i përket ndarjes së pushteteve”, theksoi Erdogan.
“Ata e shohin Qipron si një ishull grek”, shtoi ai.
Në vitin 2004, një referendum i dyfishtë çoi në refuzimin nga qipriotët grekë, rreth 75 për qind, të një plani për ribashkim të drejtuar nga OKB-ja, ndërkohë që qipriotët turq e miratuan me rreth 65 për qind./ATA