Në Parlament ka kaluar projektrezoluta për dënimin e dhunës ndaj gruas.
Të gjitha partitë kanë votuar pro kësaj rezolute, dhe në faqen e Kuvendit të Shqipërisë është publikuar se çfarë përmban konkretisht kjo rezolutë. Një nga zërat mbrojtës të kësaj çështje, të forcimit të masave ndëshkuese për dhunën ndaj grave, është edhe ish-deputetja e PD-së, Majlinda Bregu.
Gjatë periudhës që ka qenë deputete në Kuvendin e Shqipërisë, Bregu ka ngritur zërin vazhdimisht për këto çështje. Teksa ka përshëndetur miratimin e kësaj rezolute, ish-deputetja Majlinda Bregu, në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”, thotë se me rëndësi është mënyra se si do të vijohet me zbatimin e ligjit.
“Më shumë problem në Shqipëri mbetet fakti se pas një jave aksion, këto gjëra harrohen. Duket sikur hallet e të përditshmërisë, dhe problemet e jetës së qytetarëve janë ato që mbeten më pak të prekshme sesa debati politik. Ne i harrojmë shpejt këto ngjarje, e pastaj kujtohemi kur vjen viktima e radhës”, shprehet Bregu.
Teksa kujton rastin e gruas që burri i saj e hodhi nga ballkoni, Bregu thotë se ngjarje të tilla pa kaq tragjike, kanë ndodhur disa në vendin tonë. Ajo përmend rastin e gjyqtares së vrarë në mes të ditës në Tiranë nga ish-burri i saj. /BW/