Një tablo e Leonardo da Vinçit, shitur në nëntor në ankand për një vlerë rekord prej 450,3 milionë dollarësh do të ekspozohet në Luvrin e ri të Abu Dabit, një marketing i pazakontë për muzeun, që u bë i mundur nga një princ saudit.
“Salvator Mundi mbërrin në Luvrin e Abu Dhabit”, shkruan në një mesazh në Twitter institucioni, pas dhënë detaje për identitetin e pronarit të tablosë.
Është një arritje e jashtëzakonshme për këtë muze të ri, që burri i hekurt i Emirateve të Bashkuara Arabe, sheiku Mohammed ben Zayed Al-Nahyane, e cilësoi si monument kulturor botëror gjatë inaugurimit më 8 nëntor, në praninë e presidentit francez, Emmanuel Macron.
“Urime”, shkruan në Twitter shtëpia e ankandeve “Christie’s”, që kishte organizuar në Nju Jork shitjen, gjatë të cilës tabloja “Salvator Mundi” thyu rekordin si piktura më e shtrenjtë në botë, mbajrut që prej vitit 2015 nga “Les Femmes d’Alger (version 0)” e Pablo Picassos.
Që prej kësaj shitjeje vijuan spekulimet për identitetin e blerësit të kësaj vepre, shitur nga miliarderi rus Dmitri Rybolovlev, i cili e kishte blerë për 127,3 milionë dollarë në vitin 2013, një çmim që ai e kishte gjykuar të mbivlerësuar.
E përditshmja “New York Times” konfirmoi se blerësi ishte princi saudit Bader ben Abdullah ben Mohammed ben Farhan Al-Saud, i afërt me princin trashëgimtar, Mohammed ben Salmane. /b.d