Athina përgatitet të presë nesër presidentin turk Rexhep Taip Erdogan, dhe masat për sigurinë e tij janë shtuar. Erdogan mbërrin nesër në orën 10:30 në Athinë, ku takimin e parë do ta zhvillojë me presidentin Pavlopulos, ndërsa në orën 13:00 do të takojë kryeministrin Cipras me të cilin do të zhvillojë edhe konferencën e shtypit.
Mbi 3000 police grekë janë angazhuar në terren për sigurinë, pa harruar edhe 200 roje të Gardës personale të Erdogan, ndërsa nuk dihet numri i agjentëve sekretë. Që nga dita e djeshme në Athinë ndodhen 60 police turq dhe 65 të tillë në Thrakë, pasi Erdogan ka parashikuar për të premten një takim me komunitetin mysliman në Komotini.
Gjatë takimeve që Erdogan do të zhvillojë me zyrtarët e lartë në Athinë, do të diskutohet për marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik, energjinë, emigracionin, marrëdhëniet Turqi-Evropë, zhvillimet rajonale e rreziqet nga terrorizmi.
Pritet që Erdogan të kërkojë nga Greqia që t’i dorëzojë 6 nga 8 ushtarakët të cilët u arratisën pas grushtit të shtetit, lajm që nga pala greke nuk pohohet zyrtarisht. Gjithashtu pritet që të diskutohet edhe për ngritjen e xhamisë në Athinë, ndërtimi i së cilës sipas burimeve zyrtare, është bllokuar për shkak të krizës ekonomike në Greqi.
Vizita e Erdogan në Greqi, konsiderohet një thyerje embargos, pasi është e para që një president turk zhvillon në këtë vend që nga viti 1952.