Policia italiane ka shkatërruar një organizatë kriminale në Vicenza, të përbërë nga shqiptarë dhe italianë. Organizata përbëhej nga 10 persona dhe merrej me trafikimin e kokainës dhe marijuanës. Pjesë e grupit kriminal janë edhe sipërmarrës të ndryshëm, duke përfshirë pronarin e një pike shitje të automjeteve.
Hetimet kanë filluar dy vite më parë për këtë organizatë kriminale dhe aksioni u kodua “Operacioni Kukulla”. Sipas mediave italiane, operacioni u kodua në këtë mënyrë pasi anëtarët e bandës kriminale flisnin në telefon me emra kukullash për të mos u identifikuar nga policia. Hetimet nisën pasi një biznesmen nga Vicenza ishte dhunuar dhe kërcënuar për mospagimin e një borxhi. Për këtë ngjarje, ai kishte njoftuar policinë. Autoritetet italiane nuk kanë bërë me dije identitetin e të arrestuarve, mes të cilëve ka edhe shqiptarë.
Llogaritet se fitimet e kësaj organizate kriminale nga trafiku i kokainës dhe marijuanës janë tepër të mëdha. Informacione të tjera rreth aktivitetit kriminal të të arrestuarve pritet të bëhen publike nga policia italiane.
a.ç