Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MPB) ka njoftuar se do të bëjë një ankesë ndaj vendimit të INTERPOL-it, i cili hoqi nga lista e të kërkuarve kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe 17 persona të tjerë.
“Komisioni për kontrollin e fletë-arresteve ndërkombëtare në Lyon (selia e INTERPOL-it në Francë), ka miratuar ankesën e UNMIK-ut dhe më 1 dhjetor ka vendosur që INTERPOL-i më të mos trajtojë këto fletë-arreste, respektivisht do t’i fshijë nga sistemi. Kompetentët në Ministrinë e Punëve të Brendshme tashmë po shqyrtojnë detajet e këtij vendimi dhe MPB do t’ia paraqes iniciativën kompetentëve në Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorisë, në mënyrë që pas analizave të hollësishme bashkarisht të përgatisin përgjigjen në emër të Serbisë”, thuhet në kumtesën e MPB të Serbisë, transmeton Telegrafi.
Ministria e Drejtësisë e Serbisë thotë se nuk ka marrë njoftim nga INTERPOL-i për heqjen e urdhrit të lëshuar nga gjykata serbe për Haradinajn.
Në mesin e këtyre 18 personave ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy ish-anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës: Shukri Buja dhe Azem Syla.
Në listën e ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kishin urdhërarreste ndërkombëtare të lëshuara nga Serbia, përveç Azem Sylës, Shukri Bujës dhe Ramush Haradinajt, kanë qenë edhe Tomor Morina, Sinan Morina, Fadil Kastrati, Murtez Kastrati, Ardian Duraku, Vitor Zefaj, Besim Vokshi, Mahmut Ukshini, Fadil Syleviqi, Sylë Qeriqi, Qamil Pajaziti, Shpejtim Demiri, Azem Olluri, Muharrem Gashi, Bujar Bobani, Rabit Aliji dhe Faruk Noshaj./a.m.