Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar përfundimin e dy muajve të parë të aksionit antiinformalitet. Tatimet kanë bërë të ditur edhe disa nga rezultatet kryesore të aksionit si dhe ecurinë e procesit të faljes fiskale, i cili do të vazhdojë deri në fund të këtij viti.
Sipas tatimeve, ka vijuar procesi i fshirjes automatike i detyrimeve për periudhën përpara viteve 2010 dhe kompensimi me kredi si për periudhën përpara vitit 2010 dhe atë 2011-2014.
Si rezultat i këtij procesi shuma e detyrimit të falur është 17.2 mld lekë (rreth 125 milionë euro) dhe përdorimi i kredisë për shlyerjen e detyrimeve në nivel principali është në vlerën 1.7 mld lekë. Më shumë se 28 mijë tatimpagues kanë përfituar dhe ky proces vijon ende.
Ka vijuar sensibilizimi për të mundësuar mbledhjen e detyrimeve të prapambetura, ku gjatë kësaj periudhe numri i subjekteve që kanë reaguar pozitivisht është 2,697 dhe vlera është 1.9 mld lekë.
Mbyllen 523 subjekte me shkelje
Strukturat e zbatimit kanë vijuar me verifikimet në territor. Tatimet njoftojnë se janë verifikuar 22,027 subjekte ku 20.8% e tyre kanë rezultuar me shkelje dhe janë penalizuar.
Janë futur në skemën e sigurimeve gjatë shtatë javëve të para të aksionit 898 punonjës që janë konstatuar të padeklaruar dhe janë mbylluar 523 subjekte të paregjistruar në organet tatimore dhe për shkelje të tjera për moslëshim kuponi për herë të dytë.
Janë regjistruar 4467 subjekte të reja.
Më shumë se 1500 biznese kalojnë me TVSH
Për shtatë javët e para të fushatës është mundësuar përfundimi i 15,678 kontrolleve (kontrolleve nga zyra, vizita fiskale apo verifikime në terren)
Kontrollet nga zyra përbejnë 74% të totalit.
1548 subjekte kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore ku Tirana ka numrin më të madh me 774 subjekte, të ndjekur nga Durrësi 230 dhe Vlora me 116.
Tatimet njoftuan edhe se Shërbimi i tatimpaguesit ka asistuar ballë për ballë 58,586 tatimpagues. 9,608 është numri i tatimpaguesve të kontaktuar për ligjin e faljeve.
Mbi 23,152 tatimpagues janë kontaktuar për të nxitur vetëkorrigjimin.
10,493 është numri i vizitave këshilluese të përfunduara.
Janë organizuar 57 takime me komunitetin e biznesit në territor.
Qëndra e thirrjeve ka vijuar të ofrojë shërbimet në numrin e vënë në dizpozicion për çdo problematikë dhe suport ndaj çdo tatimpaguesi duke asistuar rreth 13,402 telefonues si dhe përdorues të live chat./monitor/