Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, në kontekstin e vizitës së tij në Washington D.C., mori pjesë në konferencën me temë “Stuhi e ardhshme? Formimi i së ardhmes në Ballkan në një epokë pasigurie”, organizuar nga Këshilli Atlantik.
Kjo konferencë angazhoi nivelet më të larta të vendimmarrësve transatlantikë dhe mblodhi së bashku mbi 100 pjesëmarrës, duke filluar nga liderët rajonalë tek vendimmarrësit nga të dyja anët e Atlantikut, si dhe ekspertë të lartë në terren, për të vënë në qendër të vëmendjes atë çka është në rrezik dhe nxitur mbështetjen për një politikë të ripërtërirë të Shteteve të Bashkuara në Ballkan në partneritet me Bashkimin Evropian.
Edhe pse rajoni i Ballkanit Perëndimor ka bërë progres të konsiderueshëm në përpjekjet e tij për t’u integruar në komunitetin më të gjerë transatlantik, i frymëzuar dhe udhëhequr nga angazhimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian, NATO dhe institucionet e tjera globale, përparimi i mëtejshëm është në rrezik. Konferenca kishte si qëllim gjenerimin e ideve dhe propozimeve të politikave të reja për të gdhendur rrugën përpara për rajonin e Ballkanit, tashmë i pozicionuar në mënyrë të qëndrueshme brenda komunitetit transatlantik.
Ministri Bushati, theksoi se “edhe pse po flasim për rajonin, mund të them se ende nuk jemi një rajon i vërtetë. Të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor aspirojnë të integrohen në BE, dhe kanë pasur një rrugëtim të ndryshëm në këtë drejtim, me 4 vende kandidate në nivele të ndryshme. Në të njëjtën kohë, edhe nëse flasim për integrim euroatlantik, është e vështirë të flasim për një rajon të vërtetë, duke pasur parasysh se kemi disa vende anëtare (Shqipëria, Kroacia dhe Mali i Zi), por edhe vende si Kosova e cila po kërkon të ketë një marrëdhënie të institucionalizuar me NATO-n, vende si Serbia që qëndron në një tjetër pozicion, apo edhe Bosnja, e cila në dy vitet e fundit nuk po avokon për t’u anëtarësuar në NATO. E njëjta gjë vlen edhe për mënyrën se si vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me sfida të ndryshme. Po kështu edhe linjëzimi i politikës së jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor me atë të BE-së nuk është i njëjtë. Ndaj dhe sfida jonë e parë është si ta transformojmë Ballkanin Perëndimor në një rajon të vërtetë nga pikëpamja politike, ekomomike dhe e sigurisë”.
Një tjetër element i vënë në pah nga Ministri Bushati sa i përket integrimit evropian është nevoja për të mos ngecur në ngërçin e kapitujve. “Jo gjithnjë në rajon mund të gjendet një lidhje mes kapitujve të hapur dhe cilësisë dhe shpejtësisë së procesit të anëtarësimit apo ciklit të demokratizimit” – ka nënvizuar ai. “Sa i përket sfidave – vijoi Ministri Bushati = pavarësisht se Mali i Zi ka hapur 28 kapituj dhe Shqipëria është gati të ulet në tryezën e bisedimeve të anëtarësimit, vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen me të njëjtat sfida në lidhje me shtetin e së drejtës, korrupsionin dhe krimit të organizuar, tensionet etnike apo pabarazia ekonomike e cila është një hendek i gjerë jo mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Perëndimore, por mes Ballkanit Perëndimor dhe të ashtuquajturve vende të reja anëtare të BE-së, duke i vendosur vendet fqinje në pozita të ndryshme”.
Në këtë kontekst, Ministri Bushati ka nënvizuar se “Kontributin e Shteteve të Bashkuara dhe koordinimin e saj me Bashkimin Evropian e shoh shumë të rëndësishëm të paktën në tre fusha: sa i përket reformave në fushën e sigurisë, sundimin e së drejtës në ekonomi dhe çështje që kanë lidhje me zhvillimin ekonomik, aq më tepër kur sfidat me të cilat po përballet rajoni ynë janë sfida si për Bashkimin evropian edhe për SHBA-të. Mesazhet e ditës së djeshme të Sekretarit Amerikan Tillerson – ka vijuar Ministri Bushati – janë inkurajuese dhe ne shpresojmë të kemi një bashkëpunim të përforcuar brenda suazës së NATO-s por edhe të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor”/a.ç