Mediat italiane kanë zbuluar identitetin e shqiptarit që drejtonte organizatën kriminalë në Breshia që trafikonte marijuanë nga Shqipëria dhe kokainë nga Holanda. Ai quhet Neroid Shuhani 38 vjeç, ndërsa krahu i djathtë i tij është një grua italiane e quajtur Daniela Boniotti 51 vjeç nga Breshia.
Pjesë e kësaj organizate të trafikut ndërkombëtar janë edhe 11 shqiptarë të tjerë, ndër të cilët janë identifikuar Luan Shuhani vëllai i drejtuesit Neroid Shuhani, dhe Robert Kasemi i cili është nipi i tij. Këta kishin rol të rëndësishëm në këtë grup kriminal.
Hetimet për këtë organizatë kriminale nisën pas zhdukjes së italianit Monticelli Brusati në nëntor 2013, i cili zotëronte një lokal. Autoritetet zbuluan se partneri i tij në biznes ishte në fakt krahu i djathtë i një 37-vjeçari shqiptar të përfshirë në këtë trafik droge.
Gjatë operacionit anti-drogë të zhvilluar nga autoritetet italiane, u sekuestruan 2.7 ton marijuanë në një kamion në periferi të Romës dhe 3 kilogramë kokainë. Hetimet kanë zbuluar se marijuana trafikohej nga Shqipëria drejt Italisë, ndërsa kokaina nisej nga Holanda, shkruan tvklan
Nga Shqipëria, marijuana transportohej drejt brigjeve të Kalabrisë në rrugë detare e më pas me kamion në Breshia. Kurse kokaina trafikohej nga Holanda drejt Italisë me makina të përshtatura për të fshehur drogën.
Në total janë 12 shqiptarë të arrestuar dhe 4 italianë, ndërsa janë lëshuar edhe 4 urdhër-arreste të tjera.
a.ç