Nuk ka pushim për Lulzim Bashën dhe opozitën kur bëhet fjalë për të lobuar dhe për të vepruar kundër Shqipërisë dhe interesave të shqiptarëve. Madje nuk pushon as ditët e festave kombëtare, të shënuara për kombin shqiptar, në të gjithë hapësirën ku jetojnë, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë.
Kështu, ndërsa në Shqipëri festohej dita e shpalljes së Pavarësisë dhe festa e Çlirimit të vendit, opozita shqiptare preferoi edhe një herë tjetër të punojë kundër interesave të shtetit shqiptar. Pikërisht këto ditë, Partia Demokratike ka dërguar në Athinë nënkryetarin e Komisionit të Jashtëm Parlamentar, Tritan Shehu. Ky i fundit shkon në Athinë për të takuar eksponentë të caktuar të “Nea Demokracisë”. Madje e thotë me krenari se e takoi, madje se ndjehej më se i lumtur për këto takime të “rëndësishme” për të.
Cinikja por dhe tragjikja për opozitën shqiptare qëndron pikërisht tek fakti se është pikërisht “Nea demokracia”, ajo e cila akuzon Kotziasin per tolerance dhe të të qenit i hapur me raportet me fqinjët, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Duke futur këtu dhe tolerancën për marrëveshjen e Detit të nënshkruar nga numri dy i qeverisë së kësaj partie, Dora Bakojanis të cilën Kotzias e quajti gabim dhe pranoi se Shqipëria kishte humbur territor.
Pak javë më parë dy ministrat e jashtëm të dy vendeve Bushati e Kotzias u ulen ne një takim 3 ditor në Kretë ku diskutuan çështjet e pazgjidhura mes dy vendeve dhe siç deklaruan në fund të takimit u bënë hapa konstruktivë përpara.
Por, kjo nuk është mjaftueshëm për opozitën shqiptare e cila preferon të hedhë ‘helmin’ e saj, ku ti dalë mundësia për të nxirë gjithçka të mirë që ndodh në këtë vend, madje duke shkuar deri në nivele të tilla si në rastin e rezultatit të takimeve të Shehut në Athinë.
Aq më tepër që kjo mazhorancë është duke rregulluar gabimet e mbartura dhe nga qeverisja e PD kryesisht, të cilat e futën në një qorrsokak të thellë marrëdheniet me fqinjin tonë jugor, me atë marrëveshje masakruese për territorin shqiptar që hartuan dhe miratuan për detin. Dhe që për fat Gjykata Kushtetuese e rrëzoi me një rezultat të paparë si antikombëtare, pas ankimimit që i bëri PS në atë kohë në opozitë. Por ne kemi një opozitë që jo vetëm nuk kërkon falje publikisht por shkon përtej të gjitha limiteve normalë, duke e vlerësuar atë marrëveshje si shumë të mirë dhe se rrëzimi u bë nga Rama duke blerë Kushtetuesen, një gjuhë e njohur kjo prej opozitës greke.(TemA)