Nga Lorenc Vangjeli
Festat e Nëntorit, ashtu siç i quanin dikur komunistët, janë një shans i shkëlqyer për shpërthime ndjenjash patriotizmi në vend. Edhe këtej, edhe përtej kufinjve të banuar me shqiptarë. Garë për valëvitje flamujsh, garë për retorikë rilindjeje, garë për fron patriotizmi që lartohet sidomos kur kundërshtari gjykohet si tradhëtar, garë në klube dhe garë në politikë; në thelb një garë e pafundme që si rregull njeh për fitues hipokritët.
Ata që e kanë përdorur gjithmonë Shqipërinë si kartë krediti. Si një kartmonedhë që i paguhej shtypësit më të parë.
Në Shqipëri është modë dhe dimension i qartë i kulturës së epërme për të treguar se kemi pothuaj 300 ditë me diell në vit, por nuk themi që jemi mësuar me mungesën e furnizimit me energji eletrike; ne mburremi për ujra të kristalta nga Jugu në Veri, por kemi ujë me orar në çezma. Kemi lumenj të vrullshëm, por po i sakatojmë me babëzi hidrocentralesh. Betohemi për tokën ku na ka rënë koka, premtojmë se do ta mbrojmë deri në pikën e fundit të gjakut, por jemi sjellë me të shumë më keq se pushtuesi më i keq që ka kaluar ndonjëherë në këtë vend. Ndëtojmë pa leje dhe i japim votën kujt nuk na vonon në legalizimin e grabitjes së tokës.
Krenohemi se jemi të fortë si malet, por vazhdojmë t’i rrimë me kurriz detit, marrim borxhe për të ndërtuar rrugë se vaniteti i shoferëve kërkon shpejtësi në asfalt dhe nuk kujtohemi të ndërtojmë porte. Skafet e tangërllikut i mbajmë me flamuj fqinjësh, skafet e drogës i kemi pa ngjyrë partish.
Mburremi për dashurinë e mikpritjen, por nuk e kemi për gjë të madhe të vrasim vëllanë për një gardh. Edhe Kainë, edhe Abelë, ende nuk kemi kuptuar se të duash pafund vendin tënd, nuk do të thotë se duhet të urresh fqinjin. Se mësë paku, do të duhet të dish të bashkëjetosh me të.
Në Shqipërinë pothuaj demokratike ku ka zgjedhje, por jo zgjidhje, vendimmarrësit sillen si pjeshka politike në fushata, përkëdhelin flokët e tyre, të pushtuar nga sindroma e trikotilomanisë së gradës së fundit, flasin për atdhe e fe duke ditur se edhe atdheu, edhe feja e tyre është dhe mbetet pushteti. Ata bëjnë sikur thonë të vërtetën, votuesit bëjnë sikur i besojnë.
Në Shqipëri është sport kombëtar të flitet për patriotë dhe tradhëtarë. Eshtë rregull dhe jo përjashtim që për dashurinë të flasin të tredhurit, për muzikën të jenë kritikë zdrukthtarët, për vendin e policit të zgjidhen banditët, për moralin të kujdesen prostitutat dhe për politikën, të vendosin nëpunësit e ngeshëm që me këtë art i lidh vetëm marrëdhënia prej prostitute me moralin.
Si rregull, për patriotizmin flasin më shumë tradhtarët. Hesht Skënderbeu, por brohoret e boloret gjithë ditën e lume, nipi i tij Hamza.
E megjithatë, festat kujtojnë se jeta është një cikël. Ku çfarë duket se është fund, në thelb është vetëm një fillim i ri. Se fati i Shqipërisë është shkruar ndryshe nga sa do ta donin të paudhët. Se Shqipëria e përdorur prej tyre si një kartë krediti po ndryshon.
Se Shqipëria vërtet nuk ka qenë siç e shohin romantikët!