Shqiptarët festojnë sot 29 Nëntorin, Ditën e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë.
Politika shqiptare e feston sërish e ndarë Ditën e Çlirimit të vendit, edhe pse 29 Nëntori është data zyrtare e kujtimit të kësaj dite.
Të majtët respektojnë 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë dhe 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit, ndërkohë që të djathtët i përkujtojnë të dy festat më 28 Nëntor.
Në 73-vjetorin e Çlirimit, zhvillohet ceremoni përkujtimore në një atmosferë solemne në mbarë vendin, në respekt dhe mirënjohje të veprës të dëshmorëve.
Autoritetet më të larta të shtetit, përfaqësues të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj dhe veteranë nderojnë sot dëshmorët e rënë për liri, duke bërë homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve.
Partia Demokratike nderoi dje kujtimin e rënëve duke vendosur kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”.
Debati për Festën e Çlirimit mbetet ende i ndezur në politikën shqiptare, ku e djathta ndjek të njëjtin model si gjatë mandatit të saj të parë qeverisës, kur ndryshoi datën e Çlirimit, nga 29 Nëntori më 28 Nëntor, pasi sipas saj, kjo e fundit ishte zgjedhur nga regjimi komunist duke falsifikuar historinë.
Por, 29 Nëntori e fitoi sërish statusin e Ditës së Çlirimit kur e majta erdhi në pushtet, në verën e vitit 1997, kur me një ligj të posaçëm u kthye në festë zyrtare. /b.d