Për herë të parë, Tirana bëhet pjesë e një prej panaireve më të mëdha europiane të fundvitit, “Winter Pret-Christmas Market”, që hapet çdo vit në Bruksel, nga 24 Nëntori deri në 31 Dhjetor 2017.
Në ceremoninë zyrtare të hapjes së panairit mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Brukselit, Philip Closse. Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se kjo është një mundësi fantastike, që shërben si kartolinë e bukur për kryeqytetin dhe Shqipërinë në sytë e vizitorëve dhe të investitorëve.
“Më vjen mirë që falë mbështetjes së kreut të Bashkisë së Brukselit dhe gjithë grupit të sipërmarrësve, si këtu në Belgjikë, si ata në Shqipëri, bëmë të mundur që të kishim një prezencë në atë që është ndoshta panairi më i madh i fetave të fundvitit sot në të gjithë botën. Në këtë rrugë do të ecin më shumë se 2 milionë njerëz. Jam i sigurt që do të keni mundësi të jeni një kartolinë e Tiranës, një kartolinë e Shqipërisë, e Shqipërisë së mirë, e Shqipërisë që ka nevojë të tregojë imazhin e vet të vërtetë, të tregojë se ka kulturë, se ka njerëz të mençur dhe të ditur, të tregojë që di të gatuajë, që ka një histori, vende të bukura, shije dhe estetikë”, deklaroi Veliaj.
Kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi se sot shqiptarët kanë një detyrë historike për të treguar vlerat më të mira të vendit tonë dhe shprehu bindjen se marrëdhëniet që do të krijohen në këtë panair mes njerëzve, janë ato që na bëjnë realisht europianë. “
Veliaj falenderoi dhe ambasadën tonë në Bruksel dhe organizatat e ndryshme që veprojnë në diasporë për mbështetjen dhe përpjekjet e tyre në këto vite për ruajtjen dhe përcjelljen tek brezi i ri të kulturës dhe të traditave të vendit tonë.
Kryetari i Bashkisë së Brukselit, Philip Closse e cilësoi vendin tonë dhe Tiranën, kryeqytetin e shqiptarëve, si të ftuarit e nderit të këtij edicioni të panairit “Winter Pret”.
Më herët, kryebashkiaku Veliaj u prit në zyrën e tij nga homologu i tij, Philip Closse, ku biseduan rreth shtimit të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit mes dy qyteteve, si dhe realizimit të projekteve të përbashkëta. Në shenjë mirënjohje dhe vlerësimi për kontributin e dhënë për mbështetjen e shqiptarëve që jetojnë atje, Veliaj i dhuroi homologut të tij belg, Kullën e Sahatit të Tiranës.
Gjatë vizitës në Bruksel, kryebashkiaku Veliaj u takua edhe me komunitetin shqiptar që punon dhe jeton atje, si dhe vendosi një buqetë me lule në bustin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. /b.d