Sikurse raportoi BIRN Albania, më 22 Mars, gjatë njërës prej vizitave të tij në Uashington, kryetari i PD, Lulzim Basha ka firmosur një kontratë me kompaninë e lobimit “Stonington Strategies” me vlerë 25 mijë USD në muaj për një periudhë tre mujore.
Qëlllimi i kësaj kontrate ishte “projektimi dhe implementimi” i fushatës së Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare; promovimi i qëllimeve të Partisë Demokratike në media dhe pranë figurave politike në SHBA.
Ndërsa dy ditë para se të firmoste kontratën me Bashën, më 20 Mars, “Muzin Capitol Partners’ ka nënshkruar një kontratë me kompaninë guackë ‘Biniatta Trade LP’, e cila angazhohet të paguajë ndaj “Muzin” 450 mijë USD për një periudhë tre mujore dhe jo vetëm kaq.
Çfarë ngre hije të forta dyshimi është edhe një pagesë shtesë prej 500 mijë USD për sigurimin e disa takimeve ose pjesmarrje në evente në Uashington D.C, që ‘Biniatta Trade LP’ duhet t’ja paguajë “Muzin Capitol Partners”, e cila merr përsipër planifikimin e takimeve.
Sipas BIRN, kontrata nuk e përmend Partinë Demokratike, ajo ka si qëllim për të deklaruar promovimin e rolit të bizneseve shqiptaro-amerikane në SHBA dhe promovimin e marrëdhënieve financiare dhe të tregtisë midis Shqipërisë dhe SHBA.
Këtu fillon gjithçka: Në deklaratën e “Muzin” për departamentin e drejtësisë amerikane, nuk thuhet se kush e ka porositur promovimin e Shqipërisë përmes kompanisë “Biniata”.
Por ama, “Biniata” që po i kërkon asistencë “Muzin”-it, është e njëjta kompani që më parë i ka kompensuar kësaj të fundit plot 150 mijë USD, për aktivitetet që “Muzin” ka ndërmarrë në shërbim të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Të dhënat e raportuara më 14 nëntor nga ‘Muzin Capitol Partners” në Departamentin e Drejtësisë tregojnë se “Biniatta Trade LP” e ka kompensuar atë me një vlerë prej 150 mijë USD për aktivitetet e ndërmarra në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, për të promovuar lidershipin konservator në Shqipëri dhe marrëdhëniet e biznesit mes SHBA-së dhe Shqipërisë.
Pra Pyetja që lind është se në emër të kujt u nënshkrua kjo marrëveshje me kosto 500 mijë USD midis “Biniata” dhe “Muzin”?
Pse pikërisht “Biniata” ajo që merr përsipër të promovojë Shqipërinë, duke kërkuar asistencën e “Muzin”?
Takimet që sipas kontratës do zhvilloheshin me zyrtarë amerikanë për promovimin e Shqipërisë, mos ndoshta janë shfrytëzuar për të tjera qëllime?
Nga erdhën 500.000 dollarët?
Të gjitha gjurmët të çojnë te Partia Demokratike, për shërbimet ndaj së cilës, “Biniatta Trade LP” e ka kompensuar “Muzin Capitol Partners” paraprakisht, me një vlerë prej 150 mijë USD. / Lexo.al