Një juriste e diplomuar në universitetin e njohur “La Sapienza” të Romës ka bërë një deklaratë të fortë dje gjatë emisionit “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku.
Ndërsa diskutohej se cili do ishte kryeprokurori i ri që pritet të zgjidhet në kuvend, Enida Bozheku ka marrë për shqyrtim rastin e dosjes hetimore të 21 janarit 2011 kur nuk u zbatua urdhri i prokurorisë për arrestimin e disa drejtuesvë të Gardës së Republikës.
Bozheku, me gradën shkencore Doktore e shkencave juridike, pedagoge e të Drejtës Penale dhe avokate në Itali dhe Shqipëri për këtë rast deklaroi: Nëse do isha unë në vend të Ina Ramës si kryeprokurore, pas këtij veprimi do arrestoja Sali Berishën dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë.
Nuk e kam kuptuar asnjëherë se si u guxua të mos zbatohej urdhri i prokurorisë nga qeveria, madje duke e sfiduar hapur dhe duke kundërshtuar atë me deklarata publike. Pas kësaj do nxirrja urdhër arresti për kryeministrin e asaj kohe si përgjegjës direkt për këtë skandal nga më të padëgjuarit”.
Sipas Bozhekut Ina Rama nuk e bëri këtë, por unë jam e bindur se nëse do isha në vend të saj do zbatoja ligjin dhe kushtetutën. “Prandaj drejtësia shqiptare është në këtë situatë sepse nuk zbatohet ligji”, tha Bozheku duke përjashtuar se me këtë rast ka ndikim nga bindjet politike. “Nuk jam me asnjë forcë politike dhe nuk kam asnjë bindje.
Bindja ime është vetëm ligji dhe nëse ai shkelet të gjithë janë të barabartë përballë tij”, deklaroi juristja
ZBULOHEN EMRAT E KANDIDATËVE PËR KRYEPROKURORË
Gjatë emisionit “Debati ën Channel One” u bënë të ditur emrat e atyre që përfliten se mund të jenë kandidatët për të drejtuar prokuorinë e Përgjthshme në një situatë kur kryeprokurorit Adriatik Llala i mbaron mandati dhe nga ana tjetër nuk kemi të ngritur Këshillin e Lartë të Prokurorisë që duhet ta zgjedhë pasardhësin e tij.
Ndodhur në këtë situatë kuvendi pritet të zgjedhë në fillim të dhjetorit kryeprokurorin e përkohshëm. Gjatë emisionit u zbuluan se 4 janë emrat më të përfolur: Henrik Ligori (Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda), Dritan Rreshka (Prokuror që ka drejtuar disa çështje të bujshme), Ferdinand Elezi, (kryeprokuror në Prokurorinë e Apelit në Durrës) dhe Anila Leka, (Prokurore në Prokurorinë e Përgjitshhme).
Gjithsesi deri më sot asnjë prej këtyre katër emrave nuk është zyrtarizuar si kandidat apo si të përzgjedhur për tu votuar bnë kuvend.