Bursa e parë private shqiptare Albanian Stock Exchange, që pritet të fillojë punën në fund të vitit, potencialisht inkorporohet në rrjetin rajonal të Europës Juglindore.
Raporti i publikuar së fundi nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për tranzicioni, i kushton vëmendje të veçantë zhvillimit të tregut financiar të brendshëm shkruan ATA.
Bursa e parë private shqiptare do të përdorë të njëjtin sistem elektronik me bursën e Ljubjanës, Shkupit, Sarajevës, Banja Lukës dhe Podgoricës, ç`ka për rrjedhojë mundëson integrimin e bursës së vetme shqiptare në rrjetin rajonal, citon raporti.
Albanian Stock Exchange, ALSE është bursa e parë shqiptare me kapital privat e liçensuar në korrik të këtij viti, nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Vendimi është miratuar më 3 korrik, ndërsa Shoqëria ka një kapital të regjistruar 50 000 000 lekë. Shoqëria do të ketë tre aksionerë, Banka Credins me 42.5% të kapitalit, Banka Amerikane e Investimeve me 42.5% të kapitalit dhe shoqëria AK Invest me 15%. ALSE do të operojë në tregun e letrave me vlerë, titujt dhe instrumenteve të tjerë financiarë, realizmin e platformave të tregtimit shumëpalëshe edukim, promovim dhe dhënien e informacionit grupeve të interesuara për veprimtarinë e kapitalit.
Ky sistem mund të kryejë deri në 100,000 transaksione në ditë. Në vitin e parë të aktivitetit, transaksionet e Bursës do të përqendrohen në tregtimin e titujve të qeverisë, si edhe të aksioneve të shoqërive të dala nga privatizimi./ATA/a.m.