Presidenti i Zimbabvesë, Robert Mugabe, ka dhënë dorëheqje nga ky post, sipas njoftimit nga kryeparlamentari i këtij vendi.
Lajmi befasues erdhi pasi ligjvënësit debatuan për një mocion mosbesimi kundër liderit 93 vjeçar, raporton Reuters.
Në një letër ai shkruan se dorëheqja është akt vullnetar i tij.
Mugabe më herët kishte refuzuar të tërhiqej pavarësisht marrjes në kontroll nga ana e ushtrisë javën e kaluar, dhe ditëve të protestave kundër sundimit të tij.
Mugabe ka qenë në këtë post për plot 37 vjet, që prej vitit 1980 kur Zimbabve shpalli pavarësinë. Atëherë, ai i fitoi zgjedhjet por 15 vitet e fundit është akuzuar për shtypje me dhunë të kundërshtarëve politikë.