Një 33-vjeçare është gjetur pa shenja jete në një zonë të lagjes ‘’Dardania’’ në Prishtinë të Kosovës.
Rastin për “klankosova.tv”, e ka konfirmuar edhe Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ndërsa ka deklaruar se me urdhër të prokurorisë, trupi i pa jetë është dërguar për ekzaminim.
Ai tha se ky rast është duke u cilësuar si vdekje e dyshimtë.
Ndërkohë, sipas medias kosovare, 33-vjeçarja besohet të jetë vajza e aktorit të njohur Çun Lajçi, i cili ka publikuar në Facebook një poezi për të.
Në rrjetin social të shumtë kanë qenë ndjekësit që i kanë shprehur ngushëllimet e sinqerta familjes Lajçi për vdekjen e parakohshme të vajzës së tyre.
“A këputet peni moj e mira ime
S’po t’shkruaj ma
Si herave tjera për t’iu kthye
Pendimit
Se nenin e lidhun n’fyt
E paske zhgjidhë vetëm,
Pa m’pritë mua nga rrugë e largët
Shpresash paske ikë mbramë
N’udhëtimin tand t’fundit
Diku n’Ashkelon
N’kërkim t’fatit e t’vajit
Oooo
Mos ma vajtoni
Se sherua qenka përgjithmonë
Tue kërkua gurin e vet të varri.”