Gjykata ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, më 22 nëntor, pra të mërkurën, do të shpallë vendimin e saj ndaj ish-komandatit ushtarak të serbëve të Boshnjës, Ratko Mlladiq, i njohur ndryshe edhe si kasapi i Bosnjës.
Komandati i pashpirt i trupave të serbëve të Bosnjës në vitet 90-të u bë simboli i një plani barbar për të pastruar territoret boshnjake nga kroatët dhe myslimanët.
75 vjeçari Mlladiq akuzohet se ka urdhëruar ushtrinë për të sulmuar civilët në Sarajevë dhe për të ekzekutuar 8 mijë myslimanë boshnjakë në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara, vendosi se forcat serbe kishin kryer gjenocid në Bosnjë.
Ndërkohë, Mlladiq u kap në vitin 2011, pas 16 vitesh në arrati, dhe iu dorëzua gjykatës ndërkombëtare. Më 2012-ën filloi gjyqi ndaj tij mbi bazën e 11 akuzave, përfshirë gjenocidin, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai i hodhi poshtë akuzat, duke i quajtur ato si të neveritshme.
Gjykimi i tij është i fundit në Gjykatën ndërkombëtare për Krime Lufte, ngritur në Hagë në vitin 1993 për të dënuar krimet e kryera gjatë luftërave në Ballkan, në fillim të viteve të ’90-ta.Në vitin 2016-të, kjo gjykatë shpalli fajtor shefin politik të Mlladiqit, Radovan Karaxhiqin, ndaj të cilit ishin ngritur akuza të ngjashme, përfshirë edhe gjenocidin. Karaxhiq u dënua me 40 vjet burg, përgatiti Express. (b.an)