Lufta kundër rezistencës ndaj antibiotikëve/ MShMS dhe OBSH: Parandalimi dhe kontrolli efektiv i infeksioneve mund të shmangë 1 në çdo 3 infeksione spitalore dhe mund të pakësojë përdorimin dhe rezistencën ndaj antibiotikëve
“Implementimi i procesit të sterilizimit dhe instrumenteve të rinj kirurgjikalë në spitalet tona, ka sjellë që sot në 5 spitalet universitare të Tiranës të kryhen 35 mijë operacione me instrumentet kirurgjikalë sipas standardeve më të larta europiane, duke përgjysmuar infeksionet spitalore në plagët post-kirurgjikale nga 30 në 15%”. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në takimin ndërsektorial për rezistencën mikrobike, në kuadër të Javës Europiane të Ndërgjegjësimit për antibiotikët.
Sipas znj. Manastirliu, Shqipëria është pjesë e përpjekjeve globale për adresimin e këtij kërcënimi. Për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, lufta ndaj antibiotiko rezistencës është një nga fushat prioritare të shëndetit publik. Për të maksimizuar përdorimin e antibiotikëve dhe parandalimin e krijimit të antibiotiko- rezistencës është bërë një punë e rëndësishme nga strukturat tona shëndetësore dhe organizmave të tjerë pergjegjës, ku mund të përmendet aprovimi i ligjit të sëmundjeve infektive një vit më parë nga Parlamenti, ligj i cili reflekton të gjitha direktivat dhe rekomandimet e BE, në të cilin përfshihen dhe nenet e Sigurisë së pacientit dhe kontrolli i infeksioneve në institucionet e kujdesit shëndetesor apo ndalimi i shitjes pa recetë të antibiotikëve sipas këtij ligji dhe monitorimi i farmacive. “Ne do të marrim masa për t’i forcuar kontrollet në zbatim të këtij ligji, por është e rëndëisshme që secili prej nesh të ndërgjegjësohet dhe të mos keqpërdorë antibiotikët, pasi rezistenca ndaj tyre na rrezikon të gjithëve”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
ma.me