E pabesueshme, krejtësisht kaotike është situata e shkaktuar nga shirat e rrëmbyer, që brenda vetëm dy orësh përmbytën gjithë Atikën Perëndimore. Një ditë pas tragjedisë që mori jetën e 16 shtetasve grekë dhe shkaktoi të plagosur e dëme materiale të jashtëzakonshme, qeveria greke ka shpallur zi kombëtar tre-ditor e ka urdhëruar menjëherë hetimet për autorët moralë, si dhe identifikimin e organeve kopetente, që prej mbi 4 dekadave kanë lejuar mangësitë e ndjeshme në kontrollin urban, infrastrukturën e dobët si dhe mjaft ndërtime pa leje.
600 familje shqiptare në “Mandra”, rreth 100 të dëmtuarat
Shirat vazhdojnë edhe ditën e sotme duke përkeqësuar më tej gjendjen tejet të rënduar për banorët e zonës, mes tyre qindra familje shqiptare. Komuniteti shqiptar në Mandra, Nea Peramo dhe Magula është shumëvjeçar dhe mjaft i bashkuar e i mirëorganizuar.
Ditën e djeshme, si gjithmonë në hallet apo të mirat, kanë qenë pranë njëri-tjetrit, për të ofruar kontributin e pakët, por dhe të vetmin që kanë gjatë gjithë viteve në emigracion. Në bashkinë e shkatërruar të Mandras jetojnë rreth 600 familje shqiptare, prej të cilave rreth 100 kanë kërkuar deri tani ndihmë për dëme materiale të jashtëzakonshme, thuajse kanë mbetur në rrugë. Kryetari i shoqatës emigrante “Dardania” dhe njëkohësisht inisiatori i mësimeve falas të gjuhës shqipe në zonë, Gëzim Ndou, tepër i tronditur rrëfehet se ka humbur gjithcka, uji ka mbuluar shtëpinë e tij, çdo gjë është bërë baltë dhe se tashmë janë ftuar përkohësisht në shtëpinë e bashkatdhetares Valbona Jaku, pasi familja e tij nuk ka më strehë.
Mungon dhe uji i pijshëm
Nadir Uraj, gjithashtu në kryesinë e shoqatës emigrante së Mandras, është nisur herët bashkë me një grup shqiptarësh për të parë e ardhur në ndihmë bashkatdhetarëve të dëmtuar, duke transportuar akoma dhe ujë të pijshëm. “Nuk kalon dot, as policia nuk të lejon, sepse është e rrezikshme, por edhe realisht nuk është e mundur të arrish në zonat e dëmtuara. Situata është alarmante, ka kudo baltë, makina të shkatërruara, pemë të shkulura, shtëpi të rrënuara, pamje të papara. As ujë të pijshëm nuk kanë, janë ne mes të shiut e ftohtit dhe nuk i ndihmojmë dot.Shumë shqiptarë kanë shtëpi me qera përdhese, janë të parët që kanë humbur gjithcka e u është rrezikuar jeta” –thotë Nadir Uraj.
“Noton” ura 12 m e lartëSilvana Stafani, banore në Elefsina, vetëm pak kilometra larg Mandras ka kaluar nëpër shtigje sekrete dhe është gjetur afër familjeve të miqve të saj. Dëshmia e saj shokuese: “Kaloj nga një urë 12 m e lartë, që sot notonte nën ujë, makina të tëra të rrëmbyera nga rrëketë, besoj se do ketë shumë të plagosur, ishte orar pune, kishte shumë trafik dhe gjithçka ndodhi brenda 2 orëve. Unë nuk kam parë e nuk do shoh çfarë po jetojnë ata në Mandra, kjo që ndodhi këtu është përtej imagjinatës njerëzore”.
Familja dhe biznesi emigrant shqiptar, në krizë të dyfishtëIlirjan Dhima, aktivist i vjetër në komunitetin emigrant Mandra-Nea Peramo, prej vitesh kryetar i shoqatës “Iliria”, ka kontaktuar menjëherë me kryesinë e Bashkisë për t’u informuar rreth masave që do merren. Sipas tij, të shumta janë bizneset e emigrantëve, dyqane, zyra ndërtimi, njësi të ndryshme tregtare, që sot u kthyen në tone balte. Si dhe të shumta janë dëmet materiale në mjaft familje. Situata është e vështirë, sidomos 10 familje kanë nevojë urgjente për ndihmë, por të paktën morrëm premtimin nga organet kopetente se të gjitha do të vlerësohen dhe se shqiptarët do të kompensohen. E se kompensimi do të jetë i njëjtë me grekët, pavarësisht se kjo nuk vërtetohet akoma.
Zona “Nea Peramos”, streha e 430 familjeve emigrante
Në bashkinë tjetër më të dëmtuar banojnë sot 430 familje shqiptare, nga 555 që ishin para krizës ekonomike, raporton Ilirjan Dhima. Gjithashtu në këtë zonë dëmet janë të shumta, por të përballueshme, ndërkohë që shirat e vazhdueshëm nuk lejojnë qetësimin e situatës.
Kompensimi, i njëjtë për të gjithë?Një problem i zakonshëm për emigrantët shqiptarë është trajtimi i barabartë apo jo me vendasit? Që zakonisht është i pabarabartë, pavarësisht tatimeve të njëjta e detyrimeve dyfish!
Nuk mungon edhe këtë herë shqetësimi se do të mbeten në harresë, prandaj dhe organizatat e pakta emigrante që funksionojnë me shumë vështirësi përpiqen të krijojnë lidhje të fuqishme e të jenë në kontakt të vazhdueshëm me organet lokale drejtuese, duke siguruar kështu integrimin më të lartë të mundshëm në shoqërinë e zonës. Por janë pikërisht këto zona që njihen historikisht si më të varfrat e Atikës, kështu që dhe fati i shqiptarëve ndjek normalisht atë të vendasve, duke ndjerë të gjithë sëbashku braktisjen e mekanizmave shtetërorë, që shfaqen vetëm në raste të tilla emergjente. Gjithsesi, ministri i Marinës Tregtare dhe Politikës Ishullore, Panajotis Kurublis, ka vënë në dispozicion të të dëmtuarve një krocierë më 914 kabina, për strehim të përkohshëm.
Hakmarrja e natyrës evidenton problemet shumëvjeçare.
Fenomenet natyrore që kanë izoluar zona të tëra, shkatërruan Rrugën Nacionale të vjetër dhe shkaktuan viktima e të plagosur, u konsideruan krejtësisht normale për zonën dhe stinën. Madje edhe të paralajmëruara në kohë nga shërbimet meteorologjike. Kështu që, sipas diskutimeve në median vendase të mjaft specialistëve nga disa sfera, përgjegjësit moralë duhen kërkuar në shkeljet shumëvjeçare në legjislaturën e ndërtimeve, urbanizimit e hipotekimit. Ironik është fakti që gjatë gjithë viteve, banorët dëshmitarë të ndërtimeve të rrezikshme, pa plan rregullativ, pa leje, shtesave pa vend, mureve bllokuese me “bekimin” e organeve kopetente publike, nuk kanë guxuar kurrë të denoncojnë apo flasin hapur, në publik. Po këtë faktor e pohojnë edhe emigrantët shqiptarë, specialistë ndërtimi prej vitesh në zonë.
Bashkia e Mandra-Idilia është një ndër bashkitë me hapësirë më të madhe në Greqi, e dyta pas asaj të Megara së Atikës Perëndimore (gjithashtu në mëshirë të fatit e shiut këto momente), ndërkohë që është dhe një nga zonat më të mëdha industriale të Greqisë, me departamentin më të madh furnizues tregtar “logistics” si dhe guroren më të madhe të Europës Juglindore për shfrytëzimin e resurseve agregate, nga kompania “Halips”. Në ditët në vijim do të konstatohet dhe sa e çfarë ka mbetur pa u mbuluar nga balta e rrënojat!
ma.me