Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Suzanna Schütz, thotë se vetingu është një proces i paprecedentë dhe shumë i rëndësishëm për Shqipërinë.
Sipas saj, ka pasur pengesa të qëllimshme që ai të zvarritet.
“Krimi i organizuar është një problem që duhet të zgjidhet patjetër, është një prej kushteve themelore që Bashkimi Europian ka vendosur në kuadër të procesit të integrimit. Ne e përshëndesim shprehimisht faktin se procesi i vetingut tashmë ka filluar, megjithëse ka pasur përpjeke të ndryshme për ta ngadalësuar këtë proces.
Ju e dini tanimë që ne mbështesim dhe konkretisht kemi mbështetur me kontribute procesin e vetingut, përmes misionit EURAILUS. Të gjithë e dimë që procesi vetingut është i rëndësishëm, i vështirë dhe i paprecedentë, është një proces i cili nuk ka të ngjashëm të vetët në vend apo në rajon, prandaj bëhet më i rëndësishëm fakti që të gjithë pjesëmarrësit të mund ta realizojnë këtë proces me seriozitetin më maksimal të mundshëm.
Të vënë në dispozicion të gjitha materialet e nevojshme, në mënyrë që të krijohet një ide dhe një panoramë sa më e qartë rreth personave. Shpresa është që sistemi i drejtësisë në fund të jetë një sistem i pastruar nga radhët e të inkriminuarve. Në do të jetë 100% i tillë, kjo është diçka e diskutueshme, por ky është gjithsesi objektivi ynë”, ka thënë ambasadorja gjermane për “GSH”.
E pyetur për deklaratat e ambasadorit Donald Lu, se në janar pret arrestimin e “peshqve të mëdhenj”, Schütz tha se edhe Gjermania, ashtu si SHBA, kërkon arrestimin e “peshqve të mëdhenj”.
“E thashë pak më parë, ne jemi me të njëjtin qëndrim si amerikanët se, krimi i organizuar duhet të luftohet me vendosmëri maksimale dhe se të gjithë ata persona, të cilët akuzohen për vepra kriminale, sigurisht që duhet të ndiqen dhe të dënohen.
Kjo ka të bëjë sigurisht para së gjithash edhe me kokat e strukturave kriminale”, u shpreh ambasadorja. /Tema/b.d