Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të mbështesë atë aktivitet të trajtimit të mbetjeve që përbush qëllimin për pastrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë nga ndotja. Ishte ky qëndrimi i ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi në konferencën e ricikluesve në vend për për metodologjinë që duhet të ndjekë Shqipëria për trajtimin e mbetjeve.
“Ministria e Turizmit dhe Mjedisit mbështet çdo iniciativë, e cila shkon në përshpejtim të aksionit të madh për të pastruar Shqipërinë. Ne jemi të gatshëm që të diskutojmë, jam i gatshëm të jem në çdo tryezë, jemi të gatshëm për të diskutuar me këdo, por duke ruajtur një parim dhe parimet janë standartet, parimi është cilësia, parimi është pastërtia e qytetit ku ne jetojmë.”, tha Klosi.
Ministri Klosi foli edhe për rastin flagrant të ndotjes në Lumin Erzen.
“Edhe industria e riciklimit, megjithëse punon prej shumë vitesh ka problematikat e saj. Rasti i fundit i lumit Erzen i dedikohet një industrie ricikluese, e cila nën petkun e riciklimit, riciklon një masë të madhe, por atë që ngelet nga riciklimi pastaj e depoziton në lumë.
Dhe kjo është një ngjarje që duhet të na thërrasë të gjithëve në vëmendje, që të kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë, që këta ndotës të ndëshkohen, që industria e ndershme, industria që punon qartazi në shërbim të aksionit për pastrimin e Shqipërisë të mbështetet”, u shpreh Klosi.
Ministri Klosi lajmëroi një aksion 6 mujor pastrimi që nis me 24 nëntor, dhe do të angazhojë 150 mijë vullnetarë.
ma.me