Një prej dy personave të shpallur në kërkim në skandalin e tokave në bregdetin e Spillesë, është vjehrri i kreut të PS-së së Kavajës, Gentian Dajës.
Bëhet fjalë për Seid Cikalleshin, i cili ka qenë edhe drejtori i Hipotekës së Kavajës, shkruan Panorama.
Cikalleshi akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”.
Për të ka një urdhër-arrest, i cili nuk është ekzekutuar ende, pasi Cikalleshi nuk gjendet.
Sipas hetimeve, Cikalleshi ka qenë në majë të këtij abuzimi me pronat publike, të cilat falsifikoheshin si toka bujqësore me pronarë të hershëm dhe më pas u shiteshin në mënyrë të jashtëligjshme disa personave që do t’i shfrytëzonin.
Cikalleshi aktualisht mban postin e drejtorit të Ujësjellësit të Kavajës. Ai, në bashkëpunim me nënprefektin e Tiranës dhe zyrtarë të tjerë, akuzohen për tjetërsimin e 36 hektarëve tokë në bregdet./a.m.