Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ndodhet në Bruksel në kuadër të punimeve të Këshillit të Stabilizim Asocimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Gjatë një konferencë të përbashkët , Federica Mogherini deklaroi se 2018-ta do të jetë vendimtarë për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE.
6 mujori i ardhshëm është vendimtar për hapjen e negociatave. Pasi foli për punën e bërë gjatë kësaj kohe, Mogherini theksoi se reforma në drejtësi është vendimtare për rrugën evropiane.
“Kemi pritshmëri të mëdha për një proces transformues në Shqipëri. Synojmë një mjedis më transparent për biznesin dhe investitorët. I kemi dhënë rëndësi të madhe reformës në drejtësi dhe qytetarët shqiptarë e mbështesin. Dua të përgëzoj qeverinë shqiptare dhe popullin shqiptar për këtë reformë. BE do të vazhdojë të mbështesë reformën dhe ka pritshmëri të mëdha sidomos për vettingun. është jetike që Shqipëria të vazhdojë me vendosmëri, siç ka ecur deri tani, në luftën ndaj krimit të organizuar. bashkëpunimi në Ballkan është jetik dhe Shqipëria luan rol kyç. Me Bushatin patëm një takim produktiv shumë të mirë. 2018-ta do të ofrojë një mundësi unike për Rajonin në tërësi. Vlerësojmë politikat e sigurisë Shqipëri-BE.
2018-ta do të jetë vendimtare për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE. Jam i sigurtë që 6 mujorin e ardhshëm Shqipëria do ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt BE. Ne jemi gati“, deklaroi Mogherini.
Ndërkohë, ministri Bushati u shpreh se viti 2018 do të jetë një vit vendimtar për Shqipërinë.
“Konstatuam së bashku që ka një proces të konsoliduar të zbatimit të të drejtave dhe detyrimeve që burojnë nga ky proces. Presim që 2018-ta të jetë një vit vendimtar për Shqipërinë dhe ne besojmë se hapja e bisedimeve për integrim do të na ndihmojë. Reforma në drejtësi është një mundësi unike. Diskutuam edhe rezultatet e arritura edhe për luftën kundër krimit të organizuar, edhe këto rezultate janë një produkt i përbashkët edhe me agjencitë ligjzbatuese evropiane. E gjitha kjo dëshmon vullnetin tonë. Arritjet tona përbëjnë një bazë solide për të ardhmen e vendit dhe në kuadër të negociatave”, u shpreh ministri Bushati.
Mes të tjerash Bushati konfirmoi edhe njëherë gatishmërinë e qeverisë për të vijuar me marrëveshjen e 17 majit, që u mbajt mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të PD-së Basha.
“ Në emër të kryeministri Rama dhe qeverisë shqiptare shpreha qëndrimin tonë të vendosur për të vazhduar bashkëpunimin e mëtejshëm politik me të gjithë aktorët politik në përputhje të marrëveshjes së 17 majit në Shqipëri, që siguroi zgjedhje transparente dhe vazhdimësinë e duhur të reformave”, tha Bushati.
a.ç