Ka arritur në 540 bilanci i të vdekurve dhe mbi 8 mijë, ai i të plagosurve nga tërmeti shkatërrimtar që tronditi natën e të dielës, rajonet kufitare mes Iranit dhe Irakut. Ekipet e emergjencës vijojnë të kërkojnë për të mbijetuar nën rrënoja.
Por qeveria iraniane po përballet me vështirësinë e strehimit të banorëve të shumtë, të cilëve u janë shkatërruar shtëpitë. Nga 70 mijë personat që kanë kërkuar ndihmë, shumë pak janë strehuar në çadra e qendra provizore strehimi. Pjesa tjetër e kaloi natën në qiell të hapur, në temperatura të ulta.
Gjysmëhëna e kuqe ka përllogaritur deri më tani mbi 12 mijë banesa të rrafshuara. Provinca iraniane e Kermanshahut konsiderohet si e goditur më rëndë nga lëkundjet. Banorët e zonës i vizitoi edhe presidenti Hasan Ruhani, i cili u bëri apel për ndihmë organizmave ndërkombëtare. Në Iran është hapur edhe debati mbi cilësinë e dobët të ndërtimeve, për të cilat nuk merret parasysh aktiviteti i lartë sizmik i zonës.
Mbi 200 lëkundje të vogla u regjistruan pas tërmetit të magnitudës 7.3 Rihter të së dielës, i konsideruar më i forti dhe më vdekjeprurësi i këtij viti në gjithë globin. /b.d