Gjykata e shkallës së dytë i ka dhënë të drejtë Kishës Ortodokse në pretendimin për tokën që e ka në pronësi në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Si pasojë e mungesës së përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës në gjyq për pronësinë e tokës në kampusin e UP-së, kjo tokë ka mbetur në pronësi të Kishës Ortodokse. Toka rreth 4 hektarë në të cilën gjendet Kisha Ortodokse Serbe në kampusin e Universitetit të Prishtinës, do t’i takojë Kishës Ortodokse “Sveti Nikolla”.
Gjykata e Apelit në Prishtinë ka marrë vendim që ta hedhë poshtë si të pabazuar ankesën e Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për ta konsideruar të tërhequr padinë e UP-së për pronësinë e tokës ku gjendet kisha e pafunksionalizuar. Në vendimin e Gjykatës së Apelit të marrë më 27 shtator të këtij viti, të cilin e ka siguruar Kallxo.com thuhet se vendimi i Gjykatës Themelore në vitin 2015 kishte qenë i bazuar meqenëse pala paditëse, përkatësisht UP-ja, nuk ishte paraqitur në seancën kryesore lidhur me këtë kontest. Sipas gjykatës, arsyetimi i UP-së për mospjesëmarrje në seancë në vitin 2015 kishte qenë fakti se ka pasur protesta të shumta para kishës së lartpërmendur.
Pas këtij vendimi, Universiteti i Prishtinës ka të drejtë që të nisë procedurat nga fillimi dhe të ushtrojë padi të re për të njëjtën çështje. Kisha e pafunksionalizuar e cila u ndërtua në kohën e regjimit të Slobodan Millosheviqit në vitet 1990, u bë shkas i disa protestave dhe pakënaqësive, kryesisht nga studentët e Universitetit të Prishtinës, përgatiti Koha. (b.an)