Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri, ka inspektuar sot punimet për ndërtimin e HEC-it të Moglicës, një nga dy hidrocentralet e kaskadës së Devollit, që në 2019 do të hedhë në rrjet energjinë e prodhuar, duke përforcuar kapacitetet prodhuese në vend.
Gjatë inspektimit u bë e ditur se me kapacitetin e instaluar 256 MW, HEC-i i Moglicës rrit kapacitetet prodhuese të energjisë në vend me 700 GWh dhe se e gjithë kaskada e Devollit do të rrisë me 17% furnizimin me energji.
“Do të fillojmë me mbushjen e digës vitin tjetër, në 2018 dhe do të shkojmë më tej me prodhimin gjatë pranverës së vitit 2019 dhe në fund të vitit 2019 do të përfundojë gjithçka,” – u shpreh një nga drejtuesit e Statkraft.
HEC-i i Moglicës është një vepër unikale në projektim e ndërtim. Për herë të parë, diga e Moglicës do të lidhet me centralin e prodhimit nëpërmjet një tuneli 11 km të gjatë, i cili do të ndërtohet brenda në shkëmb.
“11 kilometra tunele nga këtu te centrali i prodhimit, i cili do të jetë nëntokë. Ky do të jetë centrali i parë i ndërtuar në Shqipëri nëntokë,” – u shpjegoi një nga drejtuesit e punimeve.
Po ashtu, me një lartësi prej 160 metrash, diga e Moglicës është një ndër digat më të lartë në botë në llojin e saj.
“Është një ndër më të lartët në llojin e tij. Mendoj se është vetëm një në Kinë që është pak më e lartë, por është thuajse e njëjta. Është një ndërtim unikal dhe shumë i madh,” – theksoi një nga inxhinierët zbatues.
Për ndërtimin e kësaj vepre aktualisht janë angazhuar rreth 1400 punonjës.