Ventura i bindur se Italia do të përmbysë rezultatin ndaj Suedisë. Trajneri i kombëtares italiane, Gian Piero Ventura u paraqit i qetë në konferencën për shtyp, para sfidës së kthimit ndaj Suedisë, e vlefshme për fazën “play off”, të botërorit ‘Rusi 2018’.
Trajneri italian tha se skuadra është përgatitur në mënyrën e duhur, ndërsa njoftoi se do të bëjë edhe ndryshime, në kuadër të sfidës së nesërme.“Ndryshe nga takimi në Solna, do të ndryshojmë diçka dhe shpresoj që t’ia dalim e të marrim rezultat. Nuk ka nevojë për panik, sepse që kur u hodh shorti dhe ramë në një grup me Spanjën, e menduam që mund të ishim edhe në ‘play off’, kështu që nuk është diçka e papritur.
Tani duhet të përqendrohemi dhe të bëjmë maksimumin për të përmbysur rezultatin”, tha Ventura, transmeton Supersport.Trajneri italian nuk la pa komentuar as gjykimin e arbitrit turk, Cakir, në takimin e parë të luajtur në Solna, por theksoi se Italia duhet të kualifikohet për në botëror vetëm duke luajtur futboll, jo duke pritur dhurata nga arbitrimi.
“Pas ndeshjes thjesht thashë që gjykimi mund të kishte qenë më korrekt, por ne jemi Italia dhe duhet ta meritojmë në fushën e lojës kualifikimin. Unë i dëgjoj të gjithë, por në fund vendos vetë dhe jam i bindur që nesër do të marrim rezultatin që duam. Për këtë nevojitet, zemër, zgjuarsi taktike dhe shpejtësi”, u shpreh trajneri Ventura. (b.an)