Refuzimi që po i bën Qeveria e Serbisë së vërtetës për luftërat e viteve ‘90 dhe krimeve që janë kryer në to është shumë i rrezikshëm.
Kështu thotë Fred Abrahams, aktivist për të drejtat e njeriut, i cili ka vite që punon si hulumtues për organizatën e mirënjohur “Human Rights Watch”, shkruan “Koha Ditore”.
Abrahams, i cili ka raportuar për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, dhe ka dëshmuar në gjykimet e krerëve serbë përgjegjës për krimet kundër shqiptarëve, në Tribunalin e Hagës, thotë se caktimi i një krimineli të dënuar të luftës për të ligjëruar në Akademi ushtarake shtetërore, siç ka bërë Qeveria e Serbisë me gjeneralin Vladimir Lazareviq, është njëjtë sikur të caktosh një përdhunues të dënuar që të japë mësim për edukatë seksuale.
Në intervistën dhënë “Kohës Ditore”, Abrahams flet edhe për përvojën e tij personale si dëshmitar në gjykimin e Milosheviqit dhe krerëve të tjerë serbë në Tribunalin e Hagës, si dhe për përvojat më emocionale e trishtuese nga puna e tij si hulumtues i krimeve të luftës dhe shkeljeve të tjera të të drejtave të njeriut gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë.
Fred Abrahams është dhe autor i librit “Shqipëria moderne”, botuar në anglisht dhe përkthyer në shqip nga shtëpia botuese “Dudaj” …(b.an)