Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu vizitoi sot Qendrën Shëndetësore Kastriot në Qarkun e Dibrës, e sapo rikonstruktuar krejtësisht falë bashkëpunimit të Qeverisë Shqiptare me projektin “Shëndet për të gjithë”, të Agjencisë Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, (SDC).
“Jemi këtu në Qendrën Kastriot të Dibrës, e cila në fakt është një qendër model e kujdesit parësor, një model që duam ta shtrijmë në të gjithë vendin. Por kjo nuk është e vetmja qendër e rikonstruktuar në qarkun e Dibrës falë bashkëpunimit me projektin “Shëndet për të gjithë”, por është investuar në 4 qendra, Maqellarë, Kastriot, Shupenzë, Komsi”, u shpreh Ministrja e MShMS, znj. Ogerta Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi nga Dibra se do të dyfishojmë investimet në shëndetësi gjatë vitit 2018, duke fuqizuar Kujdesin Parësor me ndërhyrjen në 80 Qendra Shëndetësore dhe ambulance në të gjithë vendin.
Qendra Shëndetësore Kastriot ofron sot shërbim shëndetësor me cilësi për 3600 banorët e kësaj komune. Investimi në katër qendrat shëndetësore Maqellarë, Kastriot, Shupenz dhe Komsi të qarkut Dibër, arrin vlerën 386,000 Euro. Të gjithë mjekët e familjes në qarkun Dibër janë pajisur me çantën e mjekut, e cila përmban 17 instrumente mjekësor, dhe janë trajnuar për përdorimin e tyre. Janë trajnuar po ashtu drejtuesit e qendrave shëndetësore dhe institucioneve vendore të shëndetësisë për menaxhimin shëndetësor.