Suksesi i Procesit të Berlinit ngrihet e ulet me gatishmërinë e Ballkanit Perëndimor për të qenë kontribues aktivë të tij, thotë Christian Hellbach, Drejtor për Europën Jug-Lindore në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.
Z.Hellbach, qytetarët e vendeve te Ballkanit Perëndimor presin të shikojnë efektet e Procesit të Berlinit (PB) për të ushqyer pro-europianizmin e tyre. Si e vleresoni ju ecurinë e PB në raport me pritshmëritë e qytetarëve ?
Qytetarët e vendeve të Balkanit Perëndimor presin me të drejtë një përmirësim konkret të kushteve të tyre të jetesës përmes procesit të përafrimit me Bashkimin Evropian. Dhe një ndër çështjet thelbësore të Procesit të Berlinit është të ofrojë mbështetje në këtë kontekst. Intensifikimi i bashkëpunimit politik dhe atij ekonomik në rajon i ka dhënë një dinamikë të re përafrimit të tij me BE-në dhe do të sjellë rritje të mirëqenies për popullsinë. Në sektorët e zhvillimit të infrastrukturës, tregtisë, shkëmbimeve rinore dhe bashkëpunimit shkencor është arritur progres i rëndësishëm.
Ne jemi të gatshëm të japim më shumë mbështetje. Ministri i Jashtëm Federal, Sigmar Gabriel, bëri të ditur në maj intensifikimin e angazhimit gjerman. Por ne mund vetëm të mbështesim. Transformimi i shtetit, shoqërisë dhe ekonomisë, që është parakusht për përafrimin me BE-në dhe njëkohësisht edhe për më shumë mirëqenie, duhet të realizohet nga politika shqiptare.
Për këtë qëllim nevojiten reforma të qëndrueshme, të realizuara me seriozitet, ku një vlerë veçanërisht të konsiderueshme kanë konsolidimi i shtetit ligjor, qeverisja e mirë dhe lufta kundër korrupsionit. Shpresoj shumë, që qytetarët të ndjejnë një progres konkret edhe në këto aspekte.
Si diplomat i vendit që ndërmori nismën e PB, ҫfarë ka ecur pozitivisht nga Berlini në Trieste dhe ҫfarë duhet përmirësuar që PB të luajë rolin e instrumentit katalizator në përafrimin e BP me BE?
Në vitin 2014 ne ia dolëm mbanë fillimisht, që me Procesin e Berlinit të krijonim një forum që mbledh në një tryezë përfaqësues të lartë të institucioneve të BE-së, shteteve të rëndësishme anëtare dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë forum kemi përkufizuar bashkarisht një udhë zhvillimi, të cilën prej atëherë kemi vazhduar ta përpunojmë më tej në koncept e ta jetësojmë gjithnjë e më shumë.
Ngritja e forumit rinor rajonal RYCO dhe krijimi i një komuniteti në sektorin e transportit, sikurse edhe vendimi për të krijuar një zonë të përbashkët ekonomike apo hapat konkrete përpara në zhvillimin e konektivitetit në transport dhe energji janë vetëm disa prej sukseseve të Procesit të Berlinit. Edhe ngritja e një rrjeti të akademive të shkencave më duket tejet interesant në aspektin e aftësisë konkurruese të rajonit.
Gjykoj se këto janë suksese të konsiderueshme. Por ne nuk do të mjaftohemi me ato që kemi arritur, përkundrazi do të nxisim projekte të reja e mjaft konkrete. Kështu për shembull në pranverën e vitit të ardhshëm në Shkup do të zhvillohet Samiti i Digjitalizimit, propozuar prej Ministrit të Jashtëm Federal Gabriel në Trieste. Shtetet balltike kanë treguar se sa të mëdha janë shanset, që ofron digjitalizimi.
Krahas kësaj ne kemi për qëllim, gjithashtu, që së bashku me institucionet e BE-së dhe vendet partnere në perëndim të rrisim mbështetjen tonë për projekte në infrastrukturë. Mendojmë këtu për masa mjaft konkrete, të rëndësishme për popullsinë, sikurse mund të jetë riparimi i shkollave dhe spitaleve. Përtej kësaj, Gjermania do të zgjerojë programet e saj në mbështetje të formimit profesional dual. Ky model shumë i suksesshëm mund të kontribuojë që rajoni të shndërrohet në një qendër tërheqëse investimesh. Më lejoni të shtoj shkurtimisht: suksesi i Procesit të Berlinit ngrihet dhe ulet në varësi të gatishmërisë së gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të qenë kontribues aktivë të tij e për t’u angazhuar fort në jetësimin e vendimeve të marra. Kjo vlen për shembull për Forumin Rajonal Rinor RYCO, i cili është mbështetur fuqishëm nga Gjermania dhe Franca. Tanimë presim realizimin së shpejti të projekteve të para konkrete.
Si mund të kontribojë Gjermania për të zvogëluar apo amortizuar rrezikun që paraqesin faktorë të tjerë si Rusia, Turqia, Kina që synojnë focimin e ndikimit të tyre në BP?
Nuk është as detyrë dhe as pretendim i Gjermanisë apo i Bashkimit Evropian, t’u japin receta vendeve të Ballkanit Perëndimor, se si duhet t’i formësojnë marrëdhëniet e tyre me vende të tjera. Pavarësisht kësaj vlen të thuhet se mjeti më efektiv për të qenë i mbrojtur ndaj ndikimeve të jashme negative e për të forcuar rezistencën e brendshme të sistemeve politike është respektimi i vlerave dhe detyrimeve, që kanë marrë përsipër të mbështesin përmes shprehjes së dëshirës për anëtarësim në Bashkimin Evropian: rendi demokratik dhe i shtetit ligjor, stabiliteti institucional përmes qeverisjes së mirë, mbrojtja e të drejtave të njeriut si dhe respekti e mbrojtja e pakicave. Nëse këtyre vlerave u kushtohet rëndësia e duhur në mënyrë të qëndrueshme e të vetëdijshme, nuk ka pse të kihet frikë nga ndikimet e jashtme.
Çfarë nismash dhe politikash mund të ndërmarrë Gjermania dhe BE për të forcuar qëndrimet proeuropiane të qytetareve të BE, që mund të tkurren për shkak të ndikimit të këtyre faktorëve
Gjatë udhëtimeve të mia në këtë rajon në mënyrë të përsëritur kam parë se sa shumë entuziazëm ka për Evropën e sa shumë shpresë lidhet me BE-në. Kjo atmosferë pozitive duhet të ruhet e të forcohet. Për këtë është veçanërisht e rëndësishme vetëdija rreth faktit, që perspektiva e Bashkimit Evropian është reale dhe se përafrimi me BE-në sjell avantazhe të ndjeshme. Procesi i Berlinit thekson perspektivën e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe u sjell njerëzve avantazhe të ndjeshme e konkrete, sikurse është rasti i zgjerimit të infrastrukturës rrugore dhe energjitike apo rritjes së shkëmbimeve ekonomike të vendeve brenda rajonit dhe përafrimi i tyre me cilësinë dhe standardet e Bashkimit Evropian. Bashkëpunimi i ngushtë kërkon edhe pajtim. Një shembull konkret për këtë është Zyra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor RYCO, përmendur më sipër, me seli kryesore këtu në Tiranë. Kjo zyrë i ka vënë vetes për qëllim të bëjë bashkë pikërisht të rinjtë e rajonit, që me gjasë dinë pak për vendet fqinje. Dëshira për të kërkuar kontaktin me njëri-tjetrin, për të mësuar prej njëri-tjetrit dhe për të patur eksperienca të përashkëta është një element bazë për bashkëjetesën evropiane. Më lejoni të shtoj edhe një gjë: jam mësuar të më pyesin, se çfarë mund të bëjë Gjermania dhe BE që objektivi i integrimit evropian të vazhdojë të mbetet atraktiv. Por sikurse thashë më sipër: ne vetëm mund të mbështesim. Ndryshimin duhet ta bëjnë vetë vendet e këtij rajoni. Ndaj do të dëshiroja, që mediat në rajon të zhvillojnë pritshmëri po aq të larta edhe përkundrejt politikanëve të tyre .
A e mbështet Gjermania ambicien e Shqipërisë për të hapur negociatat e anëtarësimit vitin e ardhshëm?
Gjermania i qëndron premtimit, që të gjitha vendet e Evropës Juglindore kanë perspektivën e integrimit dhe ne i mbështesim ata në përpjekjet e tyre për të realizuar reformat e nevojshme. Kriteret për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit janë të njohura. Tani është në dorën e Shqipërisë të arrijë progresin e kërkuar në pesë prioritetet kyçe. Një hap shumë i rëndësishëm është reforma në drejtësi dhe ngritja tashmë e përfunduar e komisioneve të vetingut. Ne presim me shumë interes punën e tyre dhe do t’i vëzhgojmë imtësisht. Sukses presim gjithashtu të arrihet edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Si e komentoni situatën aktuale politike në Shqipëri? Investigimin për korrupsion dhe lidhje me grupet e trafikut të drogës të ish-ministrit të Brendshëm dhe dorëheqjen e drejtorit të shërbimeve sekrete?
Më lejoni t’i përgjigjem në parim kësaj pyetjeje: një nga detyrat thelbësore të Shqipërisë në kuadër të përafrimit me BE-në është lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për këtë arsye do të nevojitej konsolidimi i organeve ligjzbatuese në aktivitetin e tyre si edhe procese të ndjekjes penale pavarësisht personit. Po kështu nuk duhet të abuzohet me imunitetin parlamentar për të mbrojtur të mandatuarit prej aksesit të drejtësisë, nëse ka mjaftueshëm momente konkrete dyshimi. Ky është një imperativ i shtetit ligjor.
Si e vlerësoni situatën në BP lidhur me ripajtimin e rajonit dhe perspektivën europiane? Cilat janë ҫështjet prioritare që duhet të zgjidhë rajoni?
Christian Hellbach: Të gjitha shtetet po bëjnë progres në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, disa më shpejt disa më ngadalë. Bashkëpunimi rajonal është përmirësuar në një masë të tillë që na impresionon mjaft pozitivisht.
Por gjendja në rajon vazhdon të mbetet e ndryshueshme. Shembujt e shumtë të bashkëpunimit më të ngushtë rajonal përballen herë pas here me ngacmime politike, provokime të ndërsjellta dhe kritika që e kalojnë më pas në plan të dytë bashkëpunimin konkret.
Të gjitha këto e shpërqendrojnë vëmendjen prej punës konkrete me reformat dhe prej rrugës së përbashkët drejt Bashkimit Evropian. Duke marrë përsipër riskun të përsëris vetveten theksoj, se qeverisja e mirë, pra mungesa e korrupsionit dhe nepotizmit, një drejtësi e pavarur dhe mediat e lira, si dhe në tërësi ndërtimi i një demokracie të maturuar, ku si qeveria ashtu edhe opozita duhet të përmbushin rolet e tyre të rëndësishme dhe konstruktive, janë çelësi. (DW)