Nga Valeria Dedaj
Sopranoja Valdete Hoxha rikthehet për 60-vjetorin e krijimit të Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve Popullore. Ajo rrëfen për turnet që ka marrë pjesë jashtë vendit vetëm, por edhe me Naile Hoxhën dhe Vaçe Zelën, kur duhet që të përfaqësonin Shqipërinë. Prej 20 vitesh jeton në Nju Xhersi
Sopranoja Valdete Hoxha ka marrë udhën e largët për të qenë pjesë e 60-vjetorit të krijimit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Sopranoja është shkëputur nga jeta artistike në Tiranë para 20 vitesh dhe aktualisht jeton në Nju Xhersi. Megjithatë, nostalgjia për t’u rikthyer në të njëjtën skenë, që ishte ngjitur për herë të parë në moshën 19-vjeçare, është ende e madhe. Kujtimet për interpretimet që i dhanë famë, aq sa të nderonte Shqipërinë edhe në turnetë jashtë vendit përkrah Naile Hoxhës, Vaçe Zelës etj., i ruan ende. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” Valdete Hoxha rrëfen emocionet e saj nga takimi i parë me skenën, deri më sot, që do të këndojë në skenën e Teatrit Kombëtar këngët “Çela sytë e dua me të pa” dhe “Sa e këndshme Vjosë ti je”. Ndonëse, pas largimit nga Shqipëria është shkëputur nga jeta artistike, ka publikuar dy CD, të cilat i ka sjell me vete në Tiranë edhe për miqtë.
Zonja Valdete, nëse riktheheni në kohë, si e kujtoni momentin e parë, që jeni ngjitur në skenën e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore?
Ishte viti 1972! Unë isha nxënëse në një gjimnaz pedagogjik për mësuese, por në të njëjtën kohë aktivizohesha në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër me profesorët Tonin Daija dhe Çesk Zaden. Këtë vit u bë konkursi i interpretuesve të këngës dhe aty ra në sy talenti im në fushën e muzikës. Nuk e harroj as sot vitin 1972, kur për mua u bë një dokumentar. Ishte një famë e madhe, sepse më kaluan nga pedagogjikja për mësuese me Urdhër të Ministrit në konservator për kanto. Ende edhe sot kujtoj gjithçka me nostalgji.
Cila është jaria, që kënduat për herë të parë ?
Kam kënduar për herë të parë jaren “Ta dish, ta dish”. Sa herë që e këndoj këtë këngë më mbushen sytë me lot, sepse më kujtohet babai, i cili ishte njeriu kryesor, që më ka shtyrë dhe mbështetur mua drejt artit. Përnatë mblidheshim në ato kushte, që kishim dhe ai me violinën e tij, por me një shpirt artisti më ushqente këngën. Duhet një natë dimri, që të tregoj të gjithë historinë e jetës sime. Megjithatë, pa mbaruar ende maturën unë fillova konservatorin në Tiranë.
Çfarë ndryshoi në jetën tuaj, pasi erdhët nga Shkodran në Tiranë?
Në rrethin artistikë kur mësuan se kishte ardhur një këngëtare nga Shkodra më morën direkt në ansambël, ku bashke me Naile Hoxhën dhe emra të tjerë, nisa punën si soliste, më pas nisa turnet dhe koncertet.
Në vitin 1974 bëra turneun e parë në Turqi e më pas në vende të tjera. Edhe sot që ndodhem në këto karrige, (Teatrin Kombëtar), në këtë 60-vjetor të krijimit të Ansamblit, pasi më ftuan erdha nga Amerika me shumë kënaqësi. Një kujdes të veçantë ndaj këtij rikthimi kanë pasur vajzat e mia, të cilat më kanë mbështetur. Për mua është krenari, që nuk më kanë harruar.
Keni marrë pjesë në shumë turne, si jashtë dhe brenda vendit. Por a ka një moment, të cilin e veçoni gjatë këtyre eksperiencave?
Ishte një nder i veçantë për mua, nuk më kujtohet tamam, por mendoj se ka qenë viti 1982, kur përfaqësova e vetme Ansamblin e Shtetit jashtë vendit. Unë, isha e vetmja soliste bashkë me këngëtarin Sali Brari, që përfaqësuam vendin në një festival në Austri, ndërsa na shoqëronin edhe pesë çifte balerinësh. Ka qenë një nder i madh të përfaqësoje Ansamblin e Shtetit, Shqipërinë. Ka qenë krenari e madhe, që nuk do ta harroj asnjëherë! Në vitin 1983, bashkë me Vaçe Zalen kemi qenë në Mynih. Salla ka qenë e mbushur plot me artdashës dhe pjesën më të madhe të programit e kishim unë dhe Vaçe. Kënga “Gryka e Kaçanikut” është krijuar enkas për ne nga Pjetër Gaci, sepse ishim grupi i parë që shkuam në Kosovë. Asgjë nuk kam harruar që nga dita e parë, që kam shkelur në Ansambël. Janë kujtime, që i ruaj në mendjen dhe shpirtin tim ende edhe sot. Momenti që kemi kënduar: “Hej Kaçanik o shkëmb e gur vritesh e pritesh o për flamur, për flamurin e Skënderit, luftojnë djemtë e Idriz o Sefrit”, teksa valltarët hiqnin këmishën dhe i vinin flakën ka qenë shumë i veçantë. Këto kujtime nuk harrohen, sepse janë shumë të bukura.
Cilët janë artistët që kanë lënë gjurmë gjatë gjithë karrierës suaj, ata që ju janë gjendur afër, por edhe ata që ju ndihmuan që fillim?
Ndër ata që më rregulluan jetën dhe zërin, i pari ka qenë profesor Ramiz Kovaçi, por edhe Çesk Zadeja, Ferid Bala, Tish Daija, Marie Kraja, Ermelinda Paparisto dhe Naile Hoxha më kanë ndenjur afër gjithmonë. Përpos babait tim, i cili derisa ndërroi jetë ka qenë shtysa kryesore në jetë. Ai ishte vete artist, sepse ka punuar me violinën tërë jetën. Këtë pasion e ka trashëguar sot edhe vajza ime e vogël, Arlinda, e cila përfundoi gjimnazin për violinë. Ndërsa, vajza tjetër, Erkanda mbaroi gjimnazin në konservatorin e Nju Xhersit për kanto dhe sot punon në qeverinë Amerikane. Për diplomë ka mbrojtur me këngën “Qenke nur i bukurisë” (arie), kjo ishte surprizë për mua.
Sa e keni ndierë censurën e regjimit komunist?
Të them të drejtën e kam ndjerë, sepse ishin fillimet e para, por me kohën gjithçka ndryshon dhe jeta vazhdon.
Cila është ajo jarie apo këngë, që ju veçoni nga krijimtaria juaj?
Në vitin 1972, kur nisa jetën artistike, ka qenë jaria “Në zaman të asaj furie”. Profesor Çesk Zadeja e përpunoi edhe unë e kam kënduar përherë më korin, më pas “Qenke nur i bukurisë” në Kosovë.
Për mëse 20 vitesh ju jetoni në Nju Xhersi. Keni kënduar gjatë kësaj periudhe?
Të them të drejtën nuk kam kënduar jashtë vendit, në Shqipëri ka qenë turneu im i fundit. Atje këndoj vetëm në gëzime familjare.
Rikthimet tuaja në Shqipëri, si janë?
Koha kësaj here ishte shumë e shkurtër për të ardhur në Shqipëri, pasi kam qenë e ftuar në Festivalin e Gjirokastrës, në Këngët e Shekullit nga Adi Hila. Por kur më thanë 60-vjetroi i Ansamblit, mbase të rinjtë nuk e kuptojnë, por me të vërtetë rruga deri në aeroportin e Rinasit m’u duk vetëm dy orë.
Dhe së fundmi, çfarë do të dëgjojmë këto dy net nga repertori juaj?
Janë dy këngët “Çela sytë e dua me të pa”, të cilën e ka kënduar Luçie Miloti dhe “Sa e këndshme Vjosë ti je”, që e ka kënduar Naile Hoxha.
60 vjet,
Ansambli i Këngëve edhe Valleve Popullore
60-vjetori i Ansamblit Popullor do të kujtohet përmes një aktiviteti festiv në Teatrin Kombëtar.
Drejtoresha e Teatrit të Operës dhe Baletit, Zana Çela, ka bërë bashkë emrat më të njohur, që kanë dhënë një kontribut të madh në këtë fushë përgjatë viteve. Ndërsa, tregon se skena e Teatrit kombëtar do të jetë mikpritëse e kësaj mbrëmje gala, pasi koncertin e parë trupa e ansamblit e ka dhënë pikërisht në këtë skenë. Koncerti zhvillohet sot dhe nesër, ora 19.00.
Rexhep Çeliku
Ne kemi shumë krijues, si për shembull Gëzim Kaceli, Panajot Kanaçi, Besim Zekthi deri te unë. E gjithë krijimtaria e këtyre koreografëve që kanë dhënë kontribut të madh në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore qysh nga krijimi i tij, do të kujtohet përmes kolazheve. Drejtoresha na ka lejuar, që të zgjedhim emrat më të mirë, për të plotësuar mungesat në ansambël.
Irini Qirjako
Kujtoj ditën e parë që kam hyrë në Ansambël, sapo kisha mbaruar Akademinë e Arteve. Këtu gjeta korifenj të mëdhenj, si Panajot Kanaçi, Avni Mula, Tish Daija, Aleksandër Peçin, Vaçe Zelën, Sali Brari, Xhevdet Havizin etj., janë këngëtarë të mëdhenj edhe të papërsëritshëm. Kemi dhënë koncerte në të gjithë botën, edhe mënyra se si i kanë përshkruar vallet dhe këngët tona na bëjnë krenarë.
Sabahet Vishnja
Jam shumë e emocionuar. Në vitin 1982 u emërova në Ansamblin e Këngëve edhe Valleve, gjeta interpretues edhe xhevahire të këngës sonë popullore, që nga e madhja Vaçe Zela, aq sa nuk di kë të radhitësh edhe kë të lësh. Gjeta veten te aria shkodrane, u dashurova me të, sepse është fine edhe e brishtë. Ky ansambël ka pasur një periudhë shkëlqimi jo vetëm këtu, por në tw gjithë botën. Dëshiroj që këto vlera të trashëgimisë kulturore të ruhen edhe te brezat e rinj.
Merita Selimi
Edhe kam ardhur nga bankat e shkollën në këtë Ansambël të mrekullueshëm, ku kam gjetur emra të mëdhenj, si Lili Cingu, Besim Zekthi, Rexhep Çeliku, i cili vazhdon me një përgjegjësi të madhe ende të transmetojë këtë trashëgimi te brezat më të rinj. Mendoj se duke ua servirë më shumë të rinjve këto këngë, të rinjtë do ta ruajnë më mirë këtë trashëgimi tonë./Shekulli/