Nga Ben Andoni
Ekziston një lloj pritshmërie e madhe tek publiku ynë sipas të cilës “Reforma në Drejtësi” do të zgjidhë shumë probleme, që lidhen me shtetin e të drejtës. Kjo është e vërtetë nëse do të funksiononte si e tillë. Më qartë, kur të dyja palët e politikës duhet të kishin ulur kokën dhe pas dy vitesh llafologjie të na jepnin produktin e parë të kësaj reforme. Prej vitit 2015 kemi vetëm fjalë dhe potere bajate. Artikulues të ndryshëm, thjesht, po humbasin në një luftë pa kompromis sa i përket akuzave ndaj njëri-tjetrit. Ndërkohë që të ashtuquajturit “peshqit e mëdhenj”, simbolika e tashme e MAFIA-s shqiptare, e vendosur në shënjestër prej të huajve, sidomos Komisionit të Bashkimit Evropian dhe Ambasadës amerikane në Tiranë investuar edhe me titullarët e tyre, po presin të qetë hapat e mëtejshme ndaj tyre. Me shumë gjasë asgjë e madhe nuk do ndodhë. Kuptohet se pritshmërinë më të madhe e kanë njerëzit e thjeshtë, që kanë probleme pronash të pazgjidhura, më saktë të zhvatura dhe certifikuara nga Drejtësia shqiptare; shumë qyqarë që janë burgosur për pako gjëra; e jo më pak biznesmenë vendas e të huaj që rropaten në pyllin e burokracisë.
E përsërisim se asgjë nuk do ndodhë dhe fakti është ngaqë shihet se pak po shqetësohen njerëzit e drejtësisë dhe të politikës për pasojat ndaj tyre. Zakonisht gjërat apo mjedisi ndjehet dhe nuk shikohet. Dhe, njerëzit e Drejtësisë e Politikës janë njësoj të qetë. Përveç një lloj pune të përbashkët që po bëjnë ta zvarrisin Reformën me të gjithë makinacionet e tyre, shtuar me zgafellet sesi po manovrojnë vetë njerëzit e ligjit dhe përfoljen e kësaj reforme.
Është e vërtetë që një Reformë e mirë e Drejtësisë mund ta transformojë krejtësisht shoqërinë shqiptare, porse e vërteta është se janë njerëzit e saj, që duhet të ndryshojnë fillimisht. Dhe, pa paragjykuar pjesën më të madhe të sistemit, korrupsioni është i tillë në Drejtësi saqë ky sistem thjesht do mund të prekë një pjesë të vogël, por kurrsesi thelbin e korrupsionit të tij. Në një farë mënyre, me këtë sistem të sotëm, reforma thjesht mund të axhustojë por kurrë të ndryshojë.
Më shkurt, një reformë e vërtetë nuk bëhet me akuza në parlament dhe me shpallje drejtësie prej politikanësh dhe as me angazhimet vullnetmira të ambasadorëve, por ajo fillon që nga çdo punonjës i Drejtësisë, që nga ai më i ulëti dhe deri në kupolën kryesore. Në momentin, që krijohet klima dhe këta punonjës do kenë modele respekti apo do mbjellin të tillë, atëherë ajo do të bëhet e prekshme dhe ndoshta plot besim për qytetarët e Shqipërisë. Por, ç’ndodh? Sot e kësaj dite, njerëzit e thjeshtë pas çdo gjyqi mendojnë sesi ua kanë hedhur, paçka çështjes dhe në fund pothuaj në masë e kanë një përgjigje të njëjtë: Po do të ankohemi te Ambasadori amerikan!
Dhe, “Peshqit e mëdhenj” aleatë të kësaj gjëndje ndaj ndjehen kaq të patrazuar dhe sot e menaxhojnë të qetë këtë vend, ku fuqitë e monopoleve të tyre e kanë kapur për fyti prodhimi vendas, kurse i ka bërë shqiptarët e thjeshtë që nga ata më të rinjtë, të kenë vetëm një zgjidhje: ikjen jashtë vendit. Mbase procedurat e anëtarësimit në BE dhe detyrat që do të përmbushim do të na bëjnë ta zvogëlojmë disi këtë korrupsion të frikshëm, por kur shikon vetë Italinë, Kroacinë dhe Rumaninë atëherë ti e kupton se lufta me të keqen është luftë e vetë jetës dhe pothuaj e humbur. Kur mendon specifikën shqiptare, atëherë e kupton se Reforma në Drejtësi kurrë nuk do të jetë e plotë, paçka se shumë besojnë që SHBA dhe BE-ja do të investohen totalisht për ta çrrënjosur të keqen e madhe, që lidhet me Sistemin e drejtësisë shqiptare. E keqja do ndryshojë kur ne vetë do të mundim të keqen brenda vetes sonë. (Javanews)