PD dhe LSI kanë bashkuar votat në Këshillin Bashkiak të Durrësit, duke rrëzuar paketën e taksave dhe tarifave vendore për vitin 2018. Paketa fiskale e propozuar nga Bashkia e Durrësit kishte ulje në disa taksa, kryesisht për banorët e zonave rurale dhe bizneset e tregtimit të karburanteve, por këshilltarët demokratë dhe ata të LSI-së propozuan ulje të mëtejshme të taksave dhe zerimin e disa të tjerave për qytetarët.
Të djathtët propozuan gjithashtu që të mos rritet tarifa e plazheve private gjatë sezonit të verës, po asnjë nga propozimet nuk u mor parasysh nga kryetari i bashkisë. Me hedhjen në votim, paketa e propozuar u rrëzua me 20 vota kundër të PD-së dhe LSI-së, 19 vota pro dhe 1 abstenim.
Pas zgjedhjeve të qershorit, kjo është hera e parë që LSI bashkon votat me Partinë Demokratike në nivel vendor, ndërsa më herët kishte kundërshtuar, po jo me votë, dhe rritjen e çmimit të ujit të pijshëm për konsumatorët. Edhe në disa pika të tjera të rendit të ditës u vu re bashkimi i votave mes PD dhe LSI, duke i kthyer këto forca në mazhorancë brenda Këshillit Bashkiakt të Durrësit.
ma.me