Vetëm 24 orë përpara fillimit të atij që quhet “takim historik” mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku ministrat e Jashtëm Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati do të negociojnë në Kretë për një paketë çështjesh që prekin marrëdhëniet shqiptaro-greke, ka ardhur dhe reagimi i parë i opozitës në Athinë.
Mbrëmjen e së mërkurës, Nea Dhimokratia, nëpërmjet koordinatorit për çështjet e politikës së jashtme, Jorgos Kumucakos i kerkoi ministrit të Jashtëm të raportojë lidhur me mënyrën sesi u përcaktua axhenda e bisedimeve të Kretës.
Konkretisht, Kumucakos kërkoi të sqarohet cilat janë çështjet që do të negociohen mes palëve në atë që quhet “zgjidhje pakete”, kur janë takuar për herë të fundit komisionet dypalëshe dhe si do të negociohet mes palëve për çështjet e hapura mes dy vendeve.
Duke u nisur nga situata e deritanishme, por edhe prej ngjarjeve të ndodhura kohët e fundit në Himarë, partia opozitare parashtroi një sërë pyetjesh si: Cilat janë pritshmëritë e këtyre bisedimeve? Dhe, a do të ketë dakortësi për tema të caktuara, a do të ketë sërish negociata mes dy vendeve?
“Duke shprehur dëshirën dhe inkurajimim e saj lidhur me bisedimet e Kretës, Nea Dhimokratia kërkoi që Parlamenti të ketë informacion lidhur me rezultatet e negociatave mes dy vendeve”, tha Kumucakos./TCH