Ish-zv.drejtori i Hekurudhës, Artur Mahmutaj, është arrestuar në Itali, si një prej drejtuesve të një grupi që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut.
Mahmutaj u lirua nga Gjykata e Durrësit në mars të vitit të kaluar, pasi qëndroi 3 muaj në burg si i dyshuar për kultivimin e përpunimin e kanabisit në një laborator të sofistikuar, që rezultonte në pronësinë e tij.
Ndonëse në arsyetimin e vendimit të datës 3 mars 2016, Gjykata shprehet se Mahmutaj është një njeri me personalitet dhe nuk ekziston rreziku që të largohet, ky arsyetim i drejtësisë shqiptare, nuk rezulton i mirëmenduar, shkruan Panorama.
I dyshuari jo vetëm që është larguar jashtë Shqipërisë, por ka sofistikuar tregtinë e drogës, nga kultivimi i hashashit në laborator, te trafiku ndërkombëtar i kokainës me kontenierë nga Amerika e Jugut.
Arrestimi i 37-vjeçarit Artur Mahmutaj, u bë publik nga të gjitha mediat italiane paraditen e djeshme.
Ai, bashkë me një tjetër shqiptar, 38-vjeçarin Besnik Dauti dhe tre italianë, u arrestuan për trafikimin e një sasie prej 77 kg kokainë të pastër.
Ndërsa, sipas Guardia Di Finanza që realizoi operacionin, dy shtetasit shqiptarë ishin organizatorët e trafikut ndërkombëtar të drogës./a.ç