Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe shoferi i tij Gentian Ceka, pritet të merren në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ceka dhe Tahiri do pyeten për praninë e çuditshme të tre patentave të Tahirit dhe gruas së tij, në automjetin Land Rover, ku u sekuestruar dhe katër çanta me 863 mijë e 100 euro. Njëherësh, prokuroria do verifikojë me imtësi tabulatet e shoferit të tij Gentian Ceka, pasi ka dyshime se ky i fundit mund të ketë qenë në makinë.
Nuk dihet me saktësi se në çfarë rrethana këto tre patenta kanë përfunduar në makinën e Orest Sotës. Orest Sota është pronari i firmës “Fortis Beton” ndërsa babai i tij, Lefter Sota është biznesmen në fushën e ndërtimit, hekur dhe medias. Orest Sota ka deklaruar në policinë e Elbasanit se është mik me shoferin e Saimir Tahirit dhe se lejet e drejtimit i kishte harruar ai në makinën e tij.
“Kam qenë në një takim me shoferin e Saimir Tahirit pak ditë më parë dhe ai i harroi në makinë” mësohet se tha Sota. Dy lejet e drejtimit për mjete lundrimi, e para deri në 20 ton dhe e dyta deri në 100 ton janë marrë në 26 dhe 31 korrik të 2017 nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.
Akoma më misterioze është origjina e shumës prej 863 mijë eurove që janë sekuestruar në makinë, shumë kjo që nuk ka pasur asnjë dokument bankar apo faturë pagese shoqërimi. Ndaj Sotës janë ngritur katër akuza, për kundërshtim të forcave të policisë, “Fshehje të ardhurash”, “pastrim të produkteve të veprës penale” dhe “Drejtim të mjetit pa patentë”.
Shtëpia e Sotës tek pallati i Tahirit
Gjatë kësaj periudhë janë krijuar dyshime se Orest Sota banon në të njëjtin pallat, ku banon dhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Nga të dhënat e mbledhura thuhet se Sota banon në katin e fundit të këtij pallati, gjë e cila shton dyshimet se mes Tahirit dhe Sotës, ka pasur një njohje të hershme dhe jo rastësore.
Pavarësisht kësaj nga burimet pranë prokurorisë, “Shqiptarja.com” mëson se Oresti Sota në momentin kur është marrë në pyetje ka deklaruar si adresë banimin një apartament në rrugën “Gregor Heba”, në Tiranë që ndodhet mes stadiumit Selman Stërmasi dhe ish-kompleksit “Dinamo”.
Flet avokati i Saimir Tahirit
Pas sekuestrimit të 863 mijë eurove dhe patentave të Tahirit, burime pranë prokurorisë thanë se Saimir Tahiri, Orest Sota, vëllezërit Habilaj dhe personat e tjerë do verifikohen mbi pasuritë e paluajtshme, llogaritë bankare dhe pasuri të tjera, për të mësuar nëse ata i justifikojnë këto pasuri ose jo. Ndërkohë do bashkëpunohet ngushtë dhe me ILDKPKI-në lidhur me këtë rast.
Vetë ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri nuk ka preferuar të japë asnjë koment lidhur me këtë ngjarje. Të kontaktuar në telefon nga “Shqiptarja.com” avokati Artan Hajdari deklaroi se nuk ishte njoftuar aspak nga prokuroria për një hetim pasur që kanë nisur ndaj klientit të tij Saimir Tahiri.
Sipas Hajdarit, prokuroria është e lirë të hetojë dhe askush s’mund ta ndalojë për të kryer verifikimet e mundshme. Pritet që në ditët në vijim prokuroria ti drejtohet me shkresa drejtorisë së hipotekës, disa bankave në vend dhe disa institucioneve të tjera.
Pasuria e deklaruar nga Tahiri
Viti 2013
Shitje e makinës Audi A* viti 2008 (në muajin nëntor 2013 pas një defekti mekanik)- 1.000.000 leke (një milion lekë)
Kursime cash të familjes (zvogëlohen me 11.000 euro pas blerjes së makonës Audi A8 – 10.000 euro (dhjetë mijë euro)
Të ardhurat nga paga e deputetit dhe komisonet – 1.583.750 lekë (një milion e pesëqind e tetëdhjetë e tre mijë e shtatëqind e pesëdhjetë lekë)
Të ardhura nga paga si ministër i Punëve të Brendshme – 547.383 (pesëqind e dyzetë e shtatë mijë e treqind e tretëdhjetë e tre lekë)
Viti 2016
Llogari rrjedhëse e pagës në Credins Bank e deklaruar më parë pakësuar për vitin 2016 në shumën 91.210 lekë, gjëndja në datë 31.12.2016 ka qenë 65.958.45 lëkë.
Llogari bankare në emër të djalit në Credins Bank e deklaruar më parë shtuar për vitin 2016 në shumën 605.158 lëkë.
Llogari kursimi në Cerdins Bank e deklaruar më parë nuk ka ndryshim për vitin 2016
Llogari rrjedhëse Credins 3381 lekë (tremijë e treqind e tetëdhjetë e një lekë)
Llogari rrjedhëse Credins 200 lekë (dyqind lekë)
Llogari rrjedhëse Credins 1200 lekë (njëmijë e dyqind lekë)
Të ardhurat nga paga si Ministër i Brendëshëm (plus komisione dhe të ardhura të tjetra) 1.566.456 lekë (një milion e pesëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e katërqind e pesëdhjetë e gjashtë lekë)
Shpërblime si anëtar i KKT 30 .800 lekë ( tridhjetë e tetëqind lekë)
Viti 2017
Llogari rrjedhëse e shtuar e pagës në Credins Bank e shtuar në shumën 88.465, gjendja në datë 31.03.2017 ka qënë 154.423 lekë)
Llogari bankare në emër të djalit e shtuar në shumën 150.000 lekë
Likuiditetet e tjera të deklaruara më parë nuk kanë ndryshuar
Të ardhurat nga paga si Ministër i Brendëshëm (plus komisione dhe të ardhura të tjetra) 357.818 lekë ( treqind e pesedhjetë e shtatë mijë e tetëqind e tetëmbëdhjetë lekë)
Shpërblime si anëtar i KKT 15 .400 lekë ( njëqind e pesëdhjetëmijë e katërqind lekë)
Objekt i Deklarimit: neni 4, gërma a,b,bc,c, d i ligjit nr 9049, datë 10.04.2003, i ndryshuar)
a) Pasuritë e paluajtshme dhe të drejtat reale mbi to
b) Pasuritë e paluajtshme të regjistruara në regjistrat publik
c) Sendet me vlerë të vecantë mbi 300 000 lekë
ç) Vlerën e aksioneve të letrave me vlerë dhe pjeset e kapitalit në zotërim
d) Vlerën e likuiditeteve, gjendjen në kesh, jashte sistemit bankar, në llogari rrjedhëse, në depozitë, në bono thesari dhe në huadhënie, në lekë ose ë valutë të huaj./shqiptarja
a.ç