Disa persona të armatosur dhe me maska kanë grabitur në mesnatë një shtëpi, në fshatin Donofrosë, të njësisë administrative Ura vajgurore, në Berat.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka konstatuar edhe dëmtime të lehta të çiftit të bashkëshortëve, 57-vjeçarit O.B. dhe 55-vjeçares D.B.
Ata ishin dëmtuar gjatë tentativës për t’u përballur me grabitësit, të cilët i kishin qëlluar me qytën e armës. Grabitësit, ende të paidentifikuar, pasi kanë kontrolluar shtëpinë, janë larguar që aty duke marrë me vete edhe dy aparate celularë.
Policia ka filluar krehjen e zonës dhe ka ngritur pika kontrolli në akset rurale dhe nacionale, për të bërë të mundur kapjen e autorëve të grabitjes, ndërsa grupi hetimor ka filluar punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i plotë i policisë:
Rreth orës 21:15, në Sallën Operative ka mbërritur një telefonatë se në fshatin Donofrosë, Ura Vajgurore, disa persona të maskuar kanë hyrë në banesën e shtetasit O. B.
Menjëherë shërbimet e policisë kanë shkuar në vendngjarje ku kanë konstatuar se O. B, 57 vjeç dhe bashkëshortja e tij shtetasja D. B., 55 vjeçe, kishin dëmtime të lehta në pjesën e kokës jashtë rrezikut për jetën.
Nga deklarimet paraprake të bashkëshortëve rezulton se disa persona të maskuar dyshohet të armatosur kanë hyrë në banesën e tyre. Pasi kanë hyrë në banesë janë konfliktuar me çiftin, duke e goditur shtetasin O. B., në kokë me qytë të armës. Bashkëshortja e tij ka ndërhyrë ku dhe kjo ka pësuar dëmtime të lehta.
Shtetasit ende të pa identifikuar kanë kontrolluar banesën ku kanë marrë dy aparate celular janë larguar menjëherë. Forca të shumta policie po krehin zonën. Gjithashtu janë ngritur pika kontrolli në akset kryesore rurale e nacionale.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
a.ç