Gjykata e Forlit ka shpallur sot të pafajshëm dy vëllezërit Demaj, si dhe bashkëpunëtorin e tyre, pasi akuzoheshin për një seri veprash penale. Vendimi u dha për Emanuel Demaj, një emër i njohur për policinë italiane, si dhe për vëllain e tij Erjon, duke i shpallur të pafajshëm. I pafajshëm u shpall edhe Armand Mandreja, i mbrojtur nga avokati Alessandro Sintucci, ndërsa ata akuzoheshin për “rrëmbim të një personi” dhe për sulmin e armatosur me armë ndaj dy kushërinjve në një vilë në Castrocaro Terme (Forlì-Cesena), ngjarje e ndodhur kjo në 31 maj të 2013, duke grabitur bizhuteri vlera e të cilave u llogarit 30 mijë euro. ‘Ansa’ shkruan se prokuroria kërkoi për të pandehurit dënimin me nga 6 vite e 6 muaj burg për secilin, ndërsa gjykata vendosi t’i shpallë të pafajshëm.
EMANUEL DEMAJ, KREU I BANDËS SË SHQIPTARËVE ‘SHQIPONJAT E ZEZA’
Kjo bandë drejtohej nga ‘bosi’ shqiptar, Emanuel Demaj, i cili u bë i njohur për mediat italiane, pasi qëlloi me armë në rrugë një shtetas rumun, por dhe për jetën e tij brenda qelive. Demaj u dënua me 6 vjet burg për ngjarjen e 8 janarit 2013.
Ai kishte një skedë të pasur penale. Në vitin 2011 i riu kishte mbetur i plagosur me dy plumba në këmbë e në gjoks gjatë një kurthi që ishte ngritur enkas për të. Po ashtu, në vitin 2012 kishte marrë pjesë në tre grabitje me armë në klube nate e diskoteka. Ai u arrestua nga xhandarmëria franceze afër Lionit në vitin 2014. Në makinë iu kapën dy kilogramë flori dhe disa xhevahire. Fotoja e Emanuelit me dy kallashnikovë ne duar e publikuar nga policia kishte bërë xhiron e mediave italiane, përcjell ‘BalkanWeb’. Por ky nuk ka qenë i vetmi rast. Kjo pasi një tjetër episod u përsërit, kësaj here brenda qelive.
Ndonëse ishte në burg, shqiptari kishte arritur të siguronte një celular brenda këtyre ambienteve dhe kjo u zbulua falë një fotoje që ai publikoi në rrjetin social ‘Facebook’. Emanuel Demajt kishte ftuar gjithë të dënuarit në ditëlindje, ndërsa pas aksionit të policisë u zbulua dhe celulari.