A është Shqipëria një vend ku trafiku i drogës lulëzon në mënyrë të pashqetësuar nga autoritetet shtetërore? Përgjigja për opozitën është po, por statistikat tregojnë një të vërtetë tjetër.
Numri i të arrestuarve të lidhur me kultivimin apo trafikimin e drogës, i cili është një prej treguesve kryesorë të luftës kundër krimit të organizuar, tregon se performanca e Policisë së Shtetit është përmirësuar ndjeshëm.
Kështu, vetëm gjatë periudhë 2014-2016, numri i personave të arrestuar nga Policia dhe të dërguar përpara drejtësisë në lidhje me akuza penale që lidhen me trafikun apo kultivimin e drogës është 1 201, për një mesatare prej 400 të arrestuarish në vit.
Ndërkohë, gjatë tetë viteve të qeverisë së mëparshme, numri i të arrestuarve arriti në 599, për një mesatare prej 75 të arrestuarish në vit.
Grafiku i mëposhtëm tregon numrin e të arrestuarve, sipas viteve përkatëse.
Në bazë të këtyre të dhënave, rezulton se performance e Policisë është përmirësuar pesëfish në mandatin e parë të qeverisë Rama, krahasuar me dy mandatet e qeverisë së mëparshme.
Megjithatë, sipas të dhënave të Komisionit Europian, një problem thelbësor për vendin mbetet ndëshkueshmëria e ulët e faktorit kriminal në vend.
Në këtë drejtim, progresraporti i vitit 2015, theksonte: “Numri i vendimeve përfundimtare për dënimin me burgim, i cili sjell shpërbërjen në mënyrë efektive të organizatave kriminale, mbetet i papërfillshëm, në krahasim me vlerën e përllogaritur të tregut kriminal në vend dhe rajon”. /Lexo.al