Partia Socialiste i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatin e kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kallanaj, i cili rezulton i dënuar me dy vite burg për vjedhje në Itali. 49 deputetë kanë depozituar në gjykatë kërkesën për pavlefshmërinë e mandatit të Kapllanajt.
Në një dalje për media, deputetja socialiste, Klotilda Bushka, sulmoi ashpër kryedemokratin Lulzim Basha, teksa deklaroi se ai nuk e bën dot detyrën e kryetarit të PD. Bushka theksoi se Basha flet disa herë në ditë për të inkriminuarit dhe nuk flet për të dënuarin për vjedhje që e mbrojti në KQZ.
“Basha nuk e bën dot detyrën e kryetarit e PD. Kryebashkiaku Agron Kapallanaj është dënuar me dy vjet heqje lirie. Basha flet dhjetë herë në ditë për të inkriminuarit, por nuk flet për të dënuarin për vjedhje që e mbrojti përmes KQZ. KQZ ka vendosur që Mallakastra të ketë kryebashkiak një të dënuar vetëm se ai është i PD. Vendimi është i paligjshëm, i servirur nga politika opozitare. Kryetari i KQZ me dashje dhe nën presion politik ka vendosur të mos respektojë detyrimin ligjor. Mazhoranca është e vendosur për të zbatuar ligjin, i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. Basha e ka hequr maskën dhe ka treguar fytyrën e vërtetë, ai di të bëjë mirë vetëm një punë, të gënjejë”, deklaroi Bushka.