Me ftesë të kryetarit të Bashkisë së Firences, Dario Nardella, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliajka nisur një vizitë zyrtare në Firence, ku do të marrë pjesë edhe në Forumin “Të bashkuar në diversitet”. Gjatë ditës së sotme ai u prit në një takim të veçantë nga kryebashkiaku, Dario Nardela, i cili i akordoi kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj Medaljen e Artë të Firences.
Dy kryebashkiakët biseduan mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe shtimin e marrëdhënieve mes ekipeve të dy bashkive.
Në qendër të bisedës ishin disa nga projektet konkrete që synojnë të sjellin një ndryshim të vërtetë në përdorimin e mjeteve dhe teknologjisë së fundit në disa fusha, si ndriçimi LED i rrugëve, apo edhe nxitja e përdorimit të mejteve lëvizëse ekologjike dhe miqësore me ambientin, siç janë makinat elektrike dhe biçikletat.
Më konkretisht gjatë këtij takimi u diskutua projekti për ndriçimin LED të qytetit, dhe krijimin e një ndërmarrje të përbashkët për menaxhimin e tij.
“Përveç historive të suksesshme të njerëzve, na duhen edhe historitë e suksesit të dy qyteteve tona. Ndaj po ndërtojmë disa plane për projekte konkrete, të cilat ne mund t’i implementojmë në Tiranë, të frymëzuar nga Firence. Së pari, ka të bëjë me të gjithë teknologjinë e ndriçimit LED në qytet, ose siç quhet ndryshe një qytet inteligjent smart-city. Po shikojmë se si Firence ka bërë një punë fantastike, jo vetëm me ndriçimin, por edhe me mënyrën si funksionon siguria publik.
Ndaj besoj që jemi gati që ashtu siç kemi bërë me Bashkinë e Veronës, për të pasur një ndërmarrje të përbashkët që bën pastrimin, të kalojmë në një ndërmarrje të përbashkët me qytetin e Firences, që bën jo vetëm ndriçimin publik që kursen energji, por të gjithë infrastrukturën për atë që quhet një smart city, pra një qytet inteligjent”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një deklaratë të përbashkët pas takimit.
Gjithashtu një tjetër çështje për të cilën dy homologët dhe ekipet e tyre diskutuan në këtë takim ishte edhe projekti për një flotë biçikletash “bike-share”, si një mënyrë për të ulur nivelin e ndotjes, që vjen si pasojë e numrit të lartë të automjeteve që qarkullojnë në kryeqytet.
“Projekti ynë i dytë ka të bëjë me sjelljen në Tiranë të një flote të biçikletave, nuk mjafton të kemi korsitë dhe të inkurajojmë përdorimin e biçikletave, na duhet edhe një flotë që të përballojë fluksin. Brenda pak muajsh, Firence ka prodhuar një histori suksesi, me një flotë prej 3 mijë biçikletash në qytet dhe për këdo që ka lëvizur në qytet gjatë ditëve të fundit ka parë se si qyteti është pushtuar nga sistemi i ri biçikletave. Duam të kopjojmë të njëjtin model për ta sjellë në Tiranë”, u shpreh Veliaj.
Një tjetër projekt me rëndësi që synon të sjellë një zhvillim të madh në kryeqytetin shqiptar është edhe ai për të ndërtuar një rrjet pikash të posaçme për karikimin e automjeteve që funksionojnë me energji elektrike.
“Në Tiranë sapo kemi filluar testimin e autobusëve dhe po bëjmë autobusët e parë porosi për vitin tjetër. Por ajo që besoj se është akoma më e rëndësishme është që të kemi edhe të gjithë infrastrukturën. Kështu që po shikojmë se si Firence ka ndërtuar të gjithë rrjetin elektrik ku makinat apo gjithë pajisjet e tjera mund të furnizohen.
Besoj se avantazhi ynë është që mësojmë nga më të mirët për t’u siguruar që të gjithë kohën e humbur të viteve të fundit ta rikuperojmë duke kapur fundin e teknologjisë, pra atë që është gjëja më moderne në infrastrukturën elektrike. Këto tre projekte, sistemi i ndriçimit, sistemi i biçikletave, sistemi i karikimit elektrik, janë besoj tre projekte konkretë të cilat unë dhe Dario do të vazhdojmë”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Firences, Dario Nardella vlerësoi marrëdhëniet mes dy bashkive, ndërsa u shpreh entuziast për vijimin e bashkëpunimit në fusha konkrete.
“Ka shumë arsye për të cilat është e rëndësishme që Tirana dhe Firence të bashkëpunojë, prezenca e shumë shqiptarëve që punojnë dhe studiojnë këtu, miqësia që prej vitesh vazhdon dhe rritet, por mbi të gjitha vullneti për të zhvilluar shërbimet për qytetarët dhe për qytetet tona.
Duam të punojmë, siç tha kryetari i bashkisë, në shumë sektorë, në mënyrë të veçantë në smartcity, ndriçimi, lëvizshmëria, sistemi i transportit publik, por edhe për iniciativa dhe evente lidhur me kulturën duke qenë se Firence është një qytet i njohur në të gjithë botën për kulturën e tij të madhe. Jemi të lumtur që Tirana është gjithmonë e më shumë një qytet evropian me shumë marrëdhënie me shumë qytete të tjera evropiane dhe duam të punojmë që Firence dhe Tirana të rriten së bashku”, tha Nardella.
a.ç