Nga Artur Ajazi
Dje në mesditë kryetari PD Lulzim Basha doli sërish para kamerave dhe ka deklaruar se “kjo qeveri ra, opozita do të ngrihet në protesta, kam kontaktuar me krerët e degëve të partisë në rrethe” e gjëra të tjera, që nuk ishin veçse fjalë standarde të cilat përdoren gjithmonë nga ai. Por fakti është se sot më tepër se kurrë, më shumë se asnjëherë tjetër, anëtarësia dhe militantët e (pa) zhgënjyer të PD në rrethe, pyesin, kërkojnë dhe duan të dine se, kush është kryetari degës së tyre, ku është selia e tyre, kush janë kryesia e tyre, kush janë forumet e degës së tyre, dhe plot pyetje të tjera që duan përgjigje zoti Basha.
Realisht ajo që ka ndodhur dhe po ndodh pothuajse çdo ditë në oborrin dhe zyrat e PD në Tiranë (pasi në rrethe kjo parti pothuajse nuk ekziston) po tregon se mungon plotësisht stradegjia e “protestave” që deklaron Luli, duke e ditur fare mirë situatën në të cilat gjendet PD në pothuajse të gjitha rrethet e vendit. Për çdo anëtar të Partisë Demokatike, një gjë është e sigurtë, se kjo parti po shkon drejt vetëshkatërrimit, dhe tashmë pasojë e keqdrejtimit nuk ishte vetëm humbja e zgjedhjeve, por shumë më tepër se kaq, është mbijetesa e kësaj force politike. Prej vitesh PD ekziston sot vetëm në oborrin dhe selinë e saj në Tiranë, sepse në rrethe ajo pothuajse nuk ekziston fare. Kryetari Basha e di fare mirë se në rrethe , nuk funksionojnë strukturat e degëve, seksionet, grupseksionet, kryesitë, kryetari, e për pasojë edhe shumica e bazës së kësaj force politike.
Dikush duhet dhe do të mbajë përgjegjësi ndaj kësaj situate të krijuar. Në pamje të parë përgjegjësi i vetëm i kësaj tragjedie është kryetari (vetëshpallur) Lulzim Basha, pasi ai dhe vetëm ai, bëri gjithçka për të arritur deri këtu, në degradimin e Partisë Demokratike, që ajo të mos jetë kurrë më as opozitare dhe as pretendente e ardhshme për të qeverisur vendin. Por problem duhet parë edhe më thellë. Bosha prej 5 vitesh, drejton një opozitë anemike, të përgjumuar, duke mos ditur të ndahet nga zakoni i vjetër i një qeverisje të dështuar dhe me plot mëkate, pavarsisht se reklamon “qeverisjen më të mirë me atë kryeministër”.
Ai e mori postin e kryetarit si shpërblim, por duket se nuk ka gjasa të formëzohet si lider . Kreu i PD doli dje në mesditë para kamerave dhe deklaroi se “moralisht kjo qeveri ra, ka ardhur me vota të blera, me vota krimi e droge”, ndërkohë që Luli e ka pranuar humbjen dhe legjitimitetin e kësaj qeverie publikisht. Por ka edhe diçka tjetër. Në rast se thua se “kjo qeveri ra”, mendoj se ke rënë edhe ti si kryetar PD, sepse ke qenë ti, ai që jo vetëm pranove qeverisjen me Ramën pas 17 majit, gjë të cilën po përpiqeshe ta vazhdoje edhe pas 25 qershorit. Ndoshta kjo dëshirë e fshehur mos ka qenë pjesë e marrëveshjes?
Pothuajse të gjitha deklaratat e kreut të PD pas formimit të qeverisë re Rama-2, mbeten kontradiktore, të pabesueshme, emocionale, të stisura, duke e bërë të pabesueshme edhe ribashkimin e tij me Monikën e LSI, “frontin opozitar”, dhe së fundi edhe deklaratën për “uragan popullor”. Synimi i kreut të PD, ishte dhe mbetet akoma spastrimi i PD nga kundërshtarët, dhe jo afrimi i tyre, ishte dhe mbetet denigrimi i PD, dhe kjo duket nga mungesa e qëndrimeve parimore, shkelja e statutit, gënjeshtrat dhe mashtrimet që bëri etj.
Pothuajse të gjitha degët e PD si në Durrës, Elbasan, Korçë, Gjirokaster, Vlorë, Shkodër, Fier, Dibër, Pogradec, janë në gjendjen e tyre më të keqe, pasi prej vitesh nuk mblidhen kryesitë, strukturat, duke mos u afruar as militantët e saj tradicionalë. Madje këta të fundit, ka vite që nuk njohin më as kryetarin, as sekretarin, duke ditur përmendësh vetëm emrin e Lulzim Bashës. Vetëm nisja e një procesi transparent analize i të gjitha problemeve që kanë prekur PD, e një analize e cila do të nxjerrë përgjegjësit kryesorë të humbjes dhe rrënimit të kësaj force politike, do të ribashkojë sërish rrethe saj emrat dhe figurat historike, anëtarësinë dhe bazën e saj militanteske, për ti motivuar ata pastaj për protesta të tilla. Në të kundërtën, do të ndodhë ajo që ka ndodhur gjithmonë me “protestat” dhe “uraganet” e PD në këto 4-5 vite, që veç zhurmës nuk kanë sjellë asgjë të re në sheshet e Tiranës.