Biznesmeni Lefter Sota, babai i Orest Sotës, ka bërë gati dosjen me dëshmi dhe prova konkrete, që provojnë se biznesi i tij i nisur qysh në vitin 1992, ka krijuar kapitale përtej disa milionë eurove dhe se pagesa e cila iu sekuestrua të birit, ishte dedikuar për kompaninë që priste paratë në Elbasan.
Sota ka biznesin e importit të hekurit dhe ka qenë po ashtu dhe aksioner banke dhe botues shtypi.
Nga shitjet e aksioneve të tij në Bankën Popullore, ai ka marrë mbi 1 milionë euro fitim të provuar në llogarinë bankare.
Ai po ashtu ka futur në dosjen e dëshmive të tij, gjithë transaksionet financiare që provojnë origjinën e parave të tij.
Por, pjesa më e rëndësishme është se Sota provon dhe ku do t’i dërgonte paratë që iu sekuestruan të birit dhe kush i priste ato.
Burime për gazetën TemA panë dëshmitë e Sotës në telefon, dhe sms-të me të cilat ai ka komunikuar më drejtues të një kompanie në Elbasan.
Ai ka kërkuar prej tyre një person kontakti për të pritur paratë që i biri i tij do dërgonte cash në Elbasan.
Dërgesa do të bëhej për depozitë garancie, për blerjen e mallit në vijim.
Në dosjen që Sota do të dorëzojë në Prokurori, janë sms-të që provojnë negociatat me pritësin e parave, si dhe personin e kontaktit që djali do t’i çonte paratë.
Gjatë rrugës, Orest Sota i ka telefonuar dy herë personit që priste parat dhe ka marrë konfirmimin që po e pret.
Sms e parafundit në telefonin e Sotës është ajo që i biri po i thotë se ka komunikuar me pritësin e parave, ndërsa e fundit është se e ka kapur policia.
Orest Sota ka qenë në makinë me shoferin e tij personal, por ka preferuar të jetë vetë në timon.
Të gjitha këto prova, Sota do t’ia dorëzojë nesër Prokurorisë, si dëshmi se shuma e 850 mijë eurove është e biznesit të tij dhe se i ka të gjitha provat bindëse për këtë./Tema