Mesditën e sotme portalet shqiptare qarkulluan një lajm në të cilin citohej një qëndrim sipas tyre, i Këshillit të BE që fshikullonte kryeministrin Rama për moszgjidhjen e problemit të drogës.
“Këshilli Europian për Marrëdhëniet me Jashtë ne nje shkrim te publikuar ne faqen zyrtare të këtij Këshilli, ‘ECFR.eu’, teksa analizon situaten ne Ballkanin Perendimor dhe me idene se cfare Evropa mund te beje per keto vende, ndalet edhe te Shqiperia”-shkruajtën të gjitha portalet.
Por në fakt, nëse viziton faqen ku është publikuar ky shkrim, është shumë e lehtë për të kuptuar që shkrimi nuk është as qëndrim, as analizë nga Këshilli i Europës, institucionit që përcakton prioritetet politike të BE, e as i ndonjë departmenti të tij për marrëdhëniet me jashtë, siç lënë të kuptohet mediat shqiptare.
Përkundrazi, faqja që ato citojnë si websajti i Këshillit Europian për marrëdhëniet me jashtë, është një think-tank, organizatë ndërkombëtare kërkimesh mbi politikat dhe analizash mbi çështjet e Bashkimit Europian.
Nëse hyni në faqen http://www.ecfr.eu/about do të shihni se në kategorinë “Rreth nesh” ky institucion përshkruhet kështu:
ECFR (European Council on Foreign Relations) është një think tank ndërkombëtar, i vlerësuar me çmime, që synon të kryejë hulumtime të pavarura, të ofrojë një hapësirë të sigurtë pikëtakimi për politikë-bërësit, aktivistët dhe intelektualët, për të ndarë ide….
Pra artikulli me titull “Cfarë mund të bëjë Europa për Ballkanin Perëndimor” ku Shqipëria përmendet për përçarjen politike, është një koment subjektiv me autore Vessela Tcherneva-n, Drejtore për Programet në këtë think tank dhe jo një qëndrim zyrtar i Këshillit të Europës. /ma.me