Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi do të nisë ditën e hënë një vizitë dy ditore në Kosovë me ftesë të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Në këtë vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, Ruçi, dhe delegacioni që e shoqëron do të priten në një takim të veçantë nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Pas takimit, dy homologët do të kenë edhe një konferencë të përbashkët për mediat.
Ruçi do të pritet në disa takime të tjera dypalëshe nga Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj.
Pjesë e axhendës së takimeve do të jenë edhe kryetarët e partive opozitare në Kosovë si Visar Ymeri, Kryetar i Partisë Vetëvendosje, dhe Isa Mustafa Kryetar i Partisë Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ruçi do të zhvillojë homazhe edhe tek varreza e ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rrugova dhe në Prekaz tek varri i Komandantit Adem Jashari.
Gjatë kësaj vizite, kryetari i Kuvendit do të shoqërohet nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Edmond Spaho dhe nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili.