Kryetari i PD-se akuzon Ramën se po gënjen për llogari të Tahirit. Në një deklaratë për median Basha shkruan se Tahiri dhe Sota (të cilit ju gjetën mbi 800 mijë Euro dhe dy patentat për mjete lundruese në emër të ish-ministrit) janë bashkëpunëtorë në trafikun e milionave të drogës dhe po përpiqen çdo minutë të fshehin provat.
Basha hedh akuza të forta, teksa deklaron se Tahiri dhe Sota kanë udhëtuar bashkë jashtë vendit, ndërsa shton se biznesmeni në 6 Shtator 2017 ka dalë nga Shqipëria duke përdorur makinën e Tahirit
Deklarata e Bashes
Sa më shumë përpiqet Edi Rama të mbrojë Tahirin, aq më shumë i del boja si i lidhur me krimin dhe përfitues i tij. Rama po gënjen prapë për llogari të Tahirit, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten e tij. Tahiri dhe Sota janë bashkëpunëtorë në trafikun e milionave të drogës dhe po përpiqen cdo minutë të fshehin provat.
Burime të sigurta informojnë se:
1. Tahiri dhe Sota kanë udhëtuar bashkë për në Itali, me datë 2 Gusht 2016 nga Porti i Durrësit. Ata janë larguar nga Italia bashkë dhe janë rikthyer në Shqipëri me datë 7 Gusht 2016 me të njëjtën linjë.
2. Me 1 Shtator 2017 Tahiri dhe Sota janë larguar bashkë nga Shqipëria nëpërmjet Muriqanit dhe janë kthyer bashkë me datë 3 Shtator 2017 po nëpërmjet Muriqanit.
3. Në 6 Shtator 2017 Orest Sota ka dalë nga Shqipëria duke përdorur makinën e Tahirit.
Fakte të tjera tronditëse pritet të publikohen së shpejti. Edi Rama dhe qeveria e tij janë të zhytur në krim dhe të kapur nga krimi. Largimi i tyre është imperativ kombëtar.