Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, ishte në Vlorë, ku inspektoi implementimin e projektit të mbështetur nga PNUD-i për vendosjen e paneleve diellore për nevojat e ujit të ngrohtë në godinat publike në Shqipëri.
Si pjesë e Nismës Globale të GEF/UNDP/UNEP për Transformimin e Tregut për Panelet Diellore për Ujë të Ngrohtë, programi i Shqipërisë synon të përshpejtojë zhvillimin e tregut për këto sisteme si mënyrë për të kursyer energjinë elektrike dhe burime të tjera energjitike të përdorura për prodhimin e ujit të ngrohtë dhe zbutur fenomenin e ndryshimeve klimatike.
Deri më tani është bërë e mundur të financohen dhe instalohen sistemet termike diellore për ujin e ngrohtë pranë më shumë se 55 institucioneve publike në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Rrogozhinë, Lushnje, Elbasan, Gramsh, Berat, Fier, Vlorë, Himarë dhe Sarandë.
Një prej tyre është edhe Kopshti Nr. 10 në Vlorë, në të cilin është instaluar një sistem termik diellor për plotësimin e nevojës për ujë të ngrohtë në mënyrë efiçente dhe pro-mjedisore.
“Është një program i qeverisë shqiptare bashkë me PNUD-in, për të adresuar nevojat për ujë të ngrohtë në objektet e karakterit social si kopshtet, çerdhet apo shtëpitë e të moshuarve. Ka shumë leverdisshmëri përdorimi i paneleve diellore për kursimin e energjisë. Instalimi i këtyre lloj paneleve në godinat publike nga Shkodra deri në Sarandë, krijon kushtet që të ulet me 70% nevoja për energji për ngrohje”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, vuri theksin se rëndësia e këtyre projekteve për të përmirësuar kushtet por edhe reduktuar kostot e pushtetit lokal në drejtim të administrimit të institucioneve vendore.
“Katër kopshte dhe një çerdhe në Vlorë ashtu sikurse një kompleks lojërash në Orikum janë bërë tashmë pjesë e këtij investimi të rëndësishëm”, u shpreh kryebashkiaku Leli.